Fier, makina përplas 2 kalimtarë

Një aksident me pasojë plagosjen e dy personave ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor Fier-Roskovec. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zharrëz ku një makinë ka përplasur dy kalimtarë dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur 4-vjeçari A.Reçi dhe xhaxhai i tij Fadil Reçi 53 vjeç.
Mësohet se dy të plagosurit kanë qënë duke kaluar në anën tjetër të rrugës në momentin kur janë përplasur nga një makinë e cila më pas është larguar nga vendngjarja.
Menjëherë të plagosurit janë dërguar në spitalin e Fierit ku mësohet se gjendja e 4-vjeçarit është e rëndë ndërsa xhaxhai i tij ka disa dëmtime të lehta.
Ndërkohë menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit i cili plagosi dy kalimtarët.