Fier, mbetjet spitalore në oborr, prej 3 vitesh mungon krematoriumi
FIER - Mungesa e një krematoriumi është shndërruar në një problem serioz dhe pa zgjidhje në qytetin e Fierit. Nga njëra anë është kthyer në domosdoshmëri, ndërsa në anën tjetër në një rrezik evident për banorët e lagjeve pranë spitalit. Prej 3 vitesh nuk është mundur që të realizohet një shërbim tillë pranë kompleksit spitalor në Fier, me qëllim depozitimin dhe djegien e mbetjeve spitalore. Në këtë kohë, banorët pranë krematoriumit protestuan, pasi sipas tyre tymi që dilte prej djegies po u shkaktonte atyre probleme. Por, mosvënia në punë prej kësaj periudhe bëri që ai të amortizohej plotësisht dhe tani nuk punon më. Tashmë, mbeturinat shpërndahen kudo. Drejtues të spitalit të Fierit e konfirmojnë faktin e mosfunksionimit të krematoriumit. “Ishin ankesat e komunitetit për ndotjen e ajrit ato që u bënë shkak për mosfunksionimin e tij 3 vjet më parë, por më pas ishte edhe amortizimi i tij që pengoi rivënien në punë. Dikur aty mblidheshin mbetjet spitalore të së gjitha spitaleve, të cilat pas depozitimit, digjeshin. Ka disa kohësh që nuk po veprohet më në këtë mënyrë. Sot, të gjitha plehrat e spitalit, qofshin ato me origjinë nga ndërhyrjet mjekësore, por dhe ato urbane, po hidhen në një shesh prapa njërës prej godinave të grupit spitalor, por edhe kjo ka rrezikshmëri të lartë”, shprehen bluzat e bardha të spitalit rajonal Fier. Edhe sanitarët e grupit spitalor tregojnë se në këtë shesh të improvizuar për plehrat, hedhin edhe mbetjet spitalore si, mbetje nga ndërhyrjet kirurgjikale, shiringa, shishet e serumit pas përdorimit, si dhe e gjithë baza materiale që mbetet pas përdorimit të medikamenteve. Për këtë problem i janë dërguar relacione dhe Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim sigurimin e fondeve që nevojiten për riparimin e krematoriumit apo edhe zëvendësimin e tij me një tjetër, por deri tani ende nuk është dhënë asnjë përgjigje zyrtare. Përballë kësaj kërkese reagojnë banorët, të cilët paralajmërojnë protesta të tjera nëse vihet sërish në punë krematoriumi. “Nuk mund të lejojmë të na mbulojë tymi, bloza e era e keqe”, shprehet Vasil Nalo, një prej banorëve të lagjes “1 Maj”. m.r