E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, mbytet në rezervuarin e fshatit një 16-vjeçar

Shkon të lahet me një shok në rezervuarin e fshatit, mbytet 16-vjeçari. Trupi i tij është gjendur nga një naftëtar disa orë më vonë, ndërkohë që ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së enjtes. Marjus Isufi, lindur dhe banues në fshatin Ofiçinë e Vjetër e Komunës Ruzhdie, së bashku me një bashkëmoshatarin e tij, ishte nisur drejt mesditës për në rezervuarin me ujë të fshatit Ruzhdie. Pasi kanë bërë rreth 2 km rrugë në këmbë, dy adoleshentët kanë arritur rreth orës 13.00 në fshat dhe menjëherë janë drejtuar për nga rezervuari për t‘u freskuar në ujërat e tij. "Kishim vapë dhe vendosëm të shkonim në rezervuarin e Ruzhdies. Sapo shkuam Marjusi u hodh me kokë dy herë në thellësi të rezervuarit. Kur u hodh për herë të tretë nuk mundi të dilte më. Mendova se rrinte në thellësi dhe donte që të luante me mua, por kur u vonua shumë u shqetësova dhe nisa të thërrisja e ta kërkoja. Por nuk po e gjeja dot", ka thënë për policinë shoku i të mbyturit Marjus Isufi. Djali ka kërkuar ndihmën e naftëtarëve që punonin në sektorin e naftës pranë rezervuarit. Po ashtu është njoftuar edhe policia, si dhe mjaft banorë të fshatit Ruzhdie. Kërkimet kanë zgjatur më shumë se 2 orë dhe rreth orës 16.00 është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit pa jetë të 16- vjeçarit të mbytur. Trupi pa jetë i të miturit është mundur të nxirret nga një naftëtar i sektorit I të grupit Nr. 96 të Ndërmarrjes së Prodhimit Patos. Mendohet se mbytja e 16-vjeçarit Marjus Isufi mund të jetë shkaktuar nga ndonjë goditje në kokë, ose i mituri është penguar nga barishtet e shumta që ndodhen në fund të rezervuarit. Ky është rasti i dytë i mbytjes brenda pak ditësh në rrethin e Fierit. Kujtojmë se pesë ditë më parë, një 20-vjeçar nga Plyku, Ernest Allanjaku, humbi në detin e Semanit dhe trupi i tij ende nuk është gjetur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›