E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina bie në kanal, vdesin tre të rinj

Shtohet bilanci i viktimave nga aksidentet rrugore. Mëngjesin e djeshëm, një aksident i rëndë automobilistik me pasojë vdekjen e tre personave ka ndodhur në aksin rrugor Shkodër-Velipojë.

Viktimat janë vëllezërit Përparim Haliçaj dhe Besim Haliçaj, përkatësisht 36 dhe 32 vjeç, banues në lagjen "Guerile" të Shkodrës dhe kushëriri i tyre, Selmi Hakaj 27 vjeç nga fshati Grudë i rrethit Malësi e Madhe. Të aksidentuarit, të cilët sapo ishin kthyer për pushime nga Anglia, ku jetonin prej vitesh si emigrantë, po udhëtonin në të njëjtën makinë, kur si pasojë e një devijimi mjeti është përmbysur duke shkaktuar vdekjen e tre të rinjve. Ngjarja e rëndë rrugore ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, në vendin e quajtur ura e "Ded Gjo Lulit", rreth 10 km nga plazhi i Velipojës. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se autovetura tip BMW me ngjyrë e zezë me targa të huaja FL 03YNC, në të cilën ndodheshin dy vëllezërit Haliçaj dhe djali i hallës së tyre, 27-vjeçari Hakaj, është gjetur nga kalimtarë të rastit e fundosur në kanalin me ujë, buzë rrugës. Të tre udhëtarët janë gjetur pa shenja jete, gjë që është konstatuar edhe nga policia, e cila kur ka mbërritur në vendngjarje ka rezultuar se tre të rinjtë kishin orë që kishin ndërruar jetë dhe çdo tentativë shpëtimi nuk do të kishte rezultat. Dyshohet se automjeti ka rënë në kanalin me ujë rreth orës 03.00 të mëngjesit dhe në mungesë të ndihmës së parë, personat që udhëtonin në të kanë gjetur vdekjen disa minuta më vonë. Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se mjeti ka qenë mjaft i dëmtuar dhe kjo ka bërë që të ishte gati e pamundur të nxirreshin trupat nga automjeti. Për këtë arsye, policia ka kërkuar ndihmë nga zjarrfikëset, të cilët kanë ndërhyrë me mjete të specializuara, duke bërë prerjen e tavanit të automjetit dhe mundësuar kështu nxjerrjen e tre trupave pa jetë. Fillimisht identifikimi i tyre ka qenë i vështirë, pasi të rinjtë kishin me vete pasaporta britanike me gjeneralitete kosovare. Vetëm dy orë më pas, është bërë e mundur identifikimi i tyre i vërtetë. Sipas të afërmve, viktimat kishin shkuar në plazhin e Velipojës ku kishin qëndruar gjatë gjithë natës nën shoqërinë e disa shokëve dhe në orët e para të mëngjesit janë ndarë nga ta, për t‘u kthyer në Shkodër. Nga hetimet paraprake dhe mbledhja e provave në vendngjarje, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se vetura tip BMW, nga përmbysja e të cilit kanë gjetur vdekjen tre persona, ka pësuar dalje nga rruga për shkak se drejtuesi i automjetit, 36-vjeçari Përparim Haliçaj është përgjumur. Kjo ka provokuar daljen e mjetit nga rruga dhe përmbysjen e tij. Pakujdesia ka qenë fatale dhe si pasojë drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët që udhëtonin me të kanë gjetur vdekjen. Aksi rrugor Shkodër-Velipojë është bërë shpesh arenë aksidentesh. Fluksi i lëvizjes, gjatë sezonit turistik, por edhe rruga e ngushtë dhe pa ndriçim, kanë bërë që ky segment rrugor të bëhet burim aksidentesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›