E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, nxënësit ndeshje “gladiatorësh”

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Një ndeshje mes “gladiatorësh”. E tillë ishte quajtur ndeshja e djeshme e organizuar nga dy grupe  minorenësh, nga qyteti i Fierit. Janë grumbulluar për të treguar forcën, menjëherë sapo kishte përfunduar mësimi, por uniformat e policisë nuk kanë lejuar që gjithçka të degradonte.
Burime nga vendi i ngjarjes kanë bërë të ditur se sapo ka përfunduar mësimi, dy grupimet kanë dalë në “sheshin e mejdanit”, diku pranë qendrës së qytetit të Fierit. Ishin më shumë se 30 nxënës nga klasat e 8-ta dhe të 9-ta të shkollave “Mark Dashi” e “Andon Xoxa”, ata që pushtuan mjediset e një këndi lojërash mes pallateve për të treguar se sa vlenin. Nxënës të tjerë, të cilët ishin spektatorë të kësaj shfaqjeje, kanë treguar se gjithçka ishte përgatitur në bazë të një grafiku që përcaktohet nga vetë të miturit, për të treguar në një mënyrë apo tjetrën forcën e tyre mashkullore në këtë moshë. Ishin stërvitur për më shumë se një muaj, për të arritur triumfin në datën 11 shkurt, pikërisht ditën e djeshme. Por ndeshja është pezulluar pikërisht në momentin kur është lajmëruar Policia e Fierit, për të ndërhyrë në këtë sherr të cilit fillimisht nuk i dihej shkaku. Ndeshja e të rinjve ishte e ndarë në disa etapa, ku më e rrezikshmja ishte ajo e goditjes me shkopa bejsbolli, e cila ishte parashikuar që të zhvillohej gjatë ditëve në vijim. E ndërsa gjithçka do të merrte start, telefonata pranë uniformave blu ka bërë që policia të mbërrijë menjëherë në vendin e ngjarjes e të marrë prej aty edhe disa djem, të gjithë minorenë. Për të dëshmuar mbi ngjarjen janë shoqëruar për në mjediset e Komisariatit të Fierit disa fëmijë, bashkë me prindërit e tyre. Mësohet se në polici, menjëherë sapo është ndërprerë kjo “veprimtari” janë shoqëruar 5 fëmijë, të cilët kanë dëshmuar edhe atë që do të ndodhte. Edhe pse procesi mësimor sapo kishte përfunduar, nxënës të shumtë të të dyja shkollave ishin grumbulluar për të parë “betejën”, e cila është ndër më të rrallat e organizuara ndonjëherë. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, ndërsa pritet që të saktësohet i gjithë mekanizmi i “lojës” së krijuar nga vetë nxënësit. Nga drejtoritë e dy shkollave dje nuk ka dalë asnjë deklaratë, pasi sipas tyre ngjarja ka ndodhur pas mësimit dhe nuk kishte lidhje me ndonjë motiv apo grindje të startuar në ambientet mësimore. Mësohet se dhe më parë ka pasur përplasje mes të miturve apo adoleshentëve, por në grupe më të vogla, duke mos rënë në sy të familjarëve apo policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›