E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, largohen 200 kg helme nga ish-Azotiku

 

FIER – Rreth 200 kilogram cianur dhe mbetje te tjera të rrezikshme pranë ish-Azotikut kanë nisur të largohen nga këto ambiente. Deklarata është bërë nga Drejtori i ish-ndërmarrjes Artan Kalemi. Sipas tij, mbetjet e rrezikshme do të largohen për në magazinat e mbetjeve dhe depon kombëtare të helmeve në Elbasan, ndërsa e rëndësishme është që pjesa më e rrezikshme e tyre cianuri, tashmë është një problem i zgjidhur. Mëngjesin e së mërkurës, Kalemi deklaroi se ngarkesa prej 200 kilogramësh e mbetjeve toksike pas kësaj zhvendosjeje zgjidh edhe frikën dhe panikun e krijuar ndër vite te banorët e Fierit. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në kuadër të planit për pastrimin në thellësi të uzinës së plehrave azotike nga ndotjet e trashëguara, po implementon fazën e tretë. “Deri tani janë implementuar dy faza, njëra e ngurtësimit të mbetjeve arsenikale, më pas depozitimi në një landfill të sigurisë së lartë dhe tashmë jemi duke zbatuar fazën e tretë, e cila ka si objektiv heqjen e gjithë kimikateve të rrezikshme nga uzina”. Më pas, sipas Kalemit, do të shihen të gjitha mundësitë për asgjësimin e këtyre plehrave nga ana e shtetit shqiptar në bashkëpunim të ngushtë me Komunitetin Evropian. Ish-azotiku do të pastrohet më pas, në të gjitha ambientet e tij, për të larguar çdo objekt të kontaminuar”.                                                    m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›