Fier perleshet bordi i ujesjellesit
Asambleja ishte mbledhur për të zgjedhur një anëtar që duhet të zgjidhej me rotacion. Përfaqësuesit e këshillit bashkiak të Fierit kundërshtuan propozimin e komunës Frakull, por me votim ai u zgjodh në bord.
Pas kësaj është bërë nxjerrja jashtë e gazetarëve që po ndiqnin takimin dhe mbledhja për shkak të debateve përfundoi me përdorimin e dhunës.
Nënkryetari i bashkisë së Fierit akuzoi kryetarin e komunës Frakull, se e ka rrahur gjatë mbledhjes.
“Kërkova të respektohet ligji dhe që mbledhja të zhvillohej sipas ligjeve në fuqi. Në këtë moment kryetari i komunës dhe gangsterrët e tij ushtruan dhunë ndaj personit tim”, ka deklaruar Florjan Mucaj.
I akuzuari mohon të ketë qëlluar vetë, duke thënë se ishin të tjerë personat e përfshirë në përplasjen fizike.
“Po të kisha ushtruar unë dhunë ndaj tij, ai sot do të ishte në spital. Pasi me forcën time fizike, unë e thyej atë. Ai ka diskutuar me disa persona por dhunë nuk ka pasur”, ka deklaruar kryekomunari i Frakullës, Viktor Cervenaku.
Ndërkohë, mësohet se për rastin në fjalë është bërë padi në prokurori.