E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, punonjësit e OSSH, në provim për të mbajtur vendin e punës

Në OSSH do të vazhdojnë të punojnë vetëm ata punonjës që do të kalojnë klasën. Pas një vendimi të nxjerrë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike në qytetin e Fierit do të marrë në një provim të gjithë punonjësit e kësaj ndërmarrjeje për të parë aftësitë e tyre. Zotësia e 6400 punonjësve do të vlerësohet, e më pas për ta do të dalë edhe nota nëse do të vazhdojnë të jenë pjesë e OSSH-së apo jo. Vetë kreu i kësaj ndërmarrjeje në qytetin e Fierit, Arjan Bibo ka sqaruar punonjësit se do të merren në një provim, i cili synon nxjerrjen në pah të aftësive të gjithsecilit në menaxhimin e vendit të punës si dhe realizimin e detyrave të ngarkuara. Fundi i prillit do të jetë edhe kohë e  testimeve për të gjithë punonjësit e operatorit të sistemit shpërndarës në Fier.Edhe drejtoria zonale Fier do të fillojë testimin e punonjësve të saj, ku sipas rezultateve në punë, Kodi i Etikës, marrëdhëniet që kanë punonjësit me abonentët dhe aftësitë profesionale të tyre, u shpreh Bibo. Sipas tij ky testim bëhet dhe ka për bazë rezultatet në punë, sepse OSSH-ja, si ndërmarrje e madhe që është, ka njerëz të aftë dhe të paaftë që marrin rrogën pa të drejtë, pasi nuk kryejnë detyrat. Pikërisht për këto detyra, do të vihen në provë të gjithë punonjësit, dhe më ata me aftësi më të mira do të vijnë punën. Mosrealizimi i detyrave vjen si pasojë edhe i abuzimeve në rrjet dhe si rezultat i mungesës së aftësive të punonjësve tanë. Ne kemi pasur raste ku nuk realizohet plani, ka neglizhenca. Duhet theksuar se ka pasur edhe raste kur sjellja e punonjësve të OSSH-së nuk është në lartësinë e duhur me abonentët, plus dhe aftësitë e tyre profesionale në punë, pasi ka punonjës që janë futur në punë saj mikut dhe jo aftësisë profesionale, tha më tej ai. Megjithatë, edhe pa u vendosur ky kriter, pohohet se ka defekte gjatë kryerjes së detyrave në këtë institucion. Rreth 40 punonjës në terren, apo në administratën e saj janë paralajmëruar për pushim nga puna nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pasi janë gjetur shkelje dhe abuzim me detyrën në faturim të energjisë apo në cenim të sistemit të matjes dhe lidhjeve të paligjshme të padeklaruara. Sipas Bibos ka pasur 43 raste të vërejtjeve me paralajmërim për pushim nga puna e ndërsa pushimi nga puna u është komunikuar 2 punonjësve të cilët nuk kanë realizuar planin, e ndërsa janë vërejtur shkelje  edhe në moskryerjen e detyrave funksionale. Me privatizimin e sistemit mendohet se të gjitha këto probleme do të reduktohen dhe fillimisht është nisur me provën e parë që është testimi i çdo punonjësi.

Last Updated on Saturday, 11 April 2009 11:01

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›