E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Projektet për rininë, prioritet i mandatit tëe dytë të qeverisë


Gjatë një takimi me të rinj në qytetin e Korçës, Kryeministri Berisha i konsideron projektet për rininë, si "investim për të ardhmen


Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, në Korçë, se "në mandatin e dytë qeverisë prioritet absolut do të kenë projektet për rininë, sepse ky është investimi për të ardhmen". Në vjim të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me të rinjtë e qytetit të Korçës, në ambientet e Pallatit të Sportit "Tamara Nikolla". Duke u ndalur te rëndësia e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri u shpreh se "kjo ka qenë ëndrra e të rinjve të lëvizjes së dhjetorit e cila tashmë është bërë realitet dhe është e prekshme për të gjithë shqiptarët. Ne sot ndihemi krenarë sepse kemi shndërruar në realitet ëndrrën më të bukur të rilindasve tanë. 'Shqipëria, zonjë në perëndim' është bërë realitet me anëtarësimin e vendit në NATO", u shpreh Kryeministri Berisha. Lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Kryeministri Berisha i'u drejtua të rinjve duke shprehur bindjen se "pasioni juaj i lirisë do të jetë edhe uragani i integrimit të Shqipërisë në BE". Në këtë drejtim, Kreu i Qeverisë premtoi liberalizimin e regjimit të vizave, në mënyrë që "të rinjtë shqiptarë të shëtisin Europën si qytetarë të lirë. Të gjithë së bashku ne e meritojmë të ardhmen dhe investimi për shkollimin dhe punësimin tuaj, është investimi më i shkëlqyer për të ardhmen, sepse ju keni projektin e Shqipërisë të zhvilluar dhe anëtare të BE-së", i'u drejtua Kryeministri të rinjve korçarë. Në këtë drejtim, ai ftoi të rinjtë shqiptarë që të zhvillojnë dhe nxisin më tej ambiciet e tyre të shkollimit.


Fjala e plotë e kreut të qeverisë


Për mua është një gëzim i veçantë ky inaugurim që bëjmë sot. Ky është një inaugurim jashtëzakonisht i rëndësishëm për ju, për Pogradecin dhe për mbarë Shqipërinë, pasi Tushemishti është një nga qendrat më të bukura të bregut të liqenit të Pogradecit, një nga zonat më të preferuara turistike. Inaugurimi i sotëm i sistemit të kanalizimeve, inaugurim i cili arrin në  vlerën mbi 60 milionë lekë dhe që i jep mbrojtje të plotë liqenit nga ujërat e zeza, së bashku me sistemin e kanalizimeve të Pogradecit përbëjnë projektin më të madh për t’i kthyer liqenit atë pastërti dhe atë kthjelltësi të kristalte që i ka dhuruar zoti dhe vetë natyra.


Qeverisë sime i mbeten detyra që sistemin e kanalizimeve në mbrojte të liqenit ta shtrijë, në përputhje me premtimet e saj, nga Lini deri në Pogradec dhe ta shndërrojë liqenin, këtë pasuri përrallore, tuajën dhe të gjithë shqiptarëve, në njërin prej liqeneve më të pastër në Evropë.


Unë dua të falënderoj kompaninë ndërtuese, e cila e ka konsumuar këtë vepër në një kohë rekord, investim tërësisht i qeverisë shqiptare. Por, le ta konsiderojmë këtë si hapin e parë të madh. Hapi i dytë do të jetë rindërtimi i çdo rruge dhe rrugice të këtij fshati. Prandaj kryetari i Komunës së Tushemishtit le të bëjë projektet, t’ia sjellë ato qeverisë dhe unë ju garantoj se ne do t’i financojmë ato plotësisht në mënyrë që ata që vinë këtu për pushime, krahas burimeve të liqenit dhe pastërtisë së tij, krahas pritjes tuaj shembullore, të shohim edhe një fshat me rrugë dhe rrugica të standardeve më të mira. Këshilli Bashkiak le të mblidhet se bashku me komunitetin dhe të vendosë se si i doni këto rrugë; me asfalt apo me kalldrëm. Pra, ne do t’i financojmë ashtu sikurse ju i dëshironi. Sikundër, ne jemi të vendosur të investojmë të gjithë projektet në këtë qendër shumë të rëndësishme turistike për vendin.


Vëllezër dhe motra,


Mendoj se këtë mandat, në Pogradec dhe në Tushemisht, ne realizuam një projekt, të cilin e kanë pasur përzemër të gjithë qytetarët e kësaj zone; realizuam mbrojtjen e liqenit. Por, unë ju garantoj se vitet që vijnë do të jenë vite të “boom”-it të madh turistik.


Unë isha sot në Korçë dhe rruga Korçë – Qafë Plloçë bëhet për 15- 20 minuta, kështu që Korça e tërë do të derdhet në Pogradec me lehtësinë më të madhe. Unë do të porosis inxhinierët dhe ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, që në rast se mundet të shkurtojë pak kthesat e Qafë Plloçës me një tunel. Edhe atë gjë do ta bëj për ju dhe për Korçën, sepse dua që qyteti i Pogradecit dhe Tushemishti të shfrytëzohen dhe të vizitohen edhe më shumë. Po kështu, shumë shpejtë, brenda dy muajve ne do të fillojmë rrugën tjetër, Qafë Plloçë- Qukës, e cila e afron shumë Elbasanin, qytetin që tradicionalisht pushon në Pogradec. Kjo ishte për sa i përket turizmit të brendshëm,  por unë ju garantoj se Pogradeci, me këto kushte që po krijohen dhe me këtë pastërti që po fiton liqeni, do të preferohet nga turistë nga e mbarë bota.


Vëllezër dhe motra,


Pak ditë më parë Shqipëria u anëtarësua në NATO. Ky ishte një projekt ëndërr i qytetarëve shqiptarëve që u bë realitet. Për ne kjo është arritja më e madhe e jetës sonë. Kjo është trashëgimia më e madhe që ne u lëmë fëmijëve tanë dhe brazave që vijnë. Ne i garantuam atyre një herë e përgjithmonë lirinë. Ata do të mund të shfrytëzojnë pasuritë e jashtëzakonshme të saj. Anëtarësimi në NATO do të thotë besim shumë herë më i madh tek Shqipëria, tek Tushemishti, tek Pogradeci dhe tek shqiptarët. Anëtarësimi në NATO do të thotë vlerësim.


Ne, rreth 4 vite më parë,

u zotuam se ju, qytetarët shqiptarë, do të jeni në epiqendrën e veprimtarisë sonë. Unë mund t’ju them se sot kjo është realitet. Sot, pas 4 vitesh, ne kemi investuar për problemet sociale të qytetarëve shqiptarë, shumë herë më tepër sesa katër vite më parë. Ne jemi përballur me një luftë të vendosur kundër varfërisë. Unë sot jam krenar sepse nuk ka më pensionist në fshatrat shqiptare, që për mundin dhe djersën e tyre të shpërblehen vetëm me 1 dollarë në ditë, ashtu siç ishte 3 vjet më parë. Ne u zotuam se do të dyfishojmë pensionet tuaja dhe e shndërruam në realitet atë premtim. Në datën 1 maj çdo pensionist në fshatin shqiptar do të marrë 2-herë më shumë sesa ka marrë në vitin 2005.


Ne u zotuam të ndërtojmë dhe të rindërtojmë shkolla, kudo që ato janë. Sot unë vij ballëhapur para jush, sepse në më pak se 4 vite ne kemi rindërtuar apo ndërtuar nga e para 1012 shkolla. Ne kemi nderuar konviktet e shkollave të vendit. Unë zotohem para jush se në çdo fshat, qytezë apo qytet të Shqipërisë, në katër vitet që vinë, do të ketë vetëm shkolla të reja ose të rindërtuara. Nuk do të ketë më shkolla të vjetra.


Së bashku ne do të vazhdojmë ndryshimin e Shqipërisë dhe të Tushemishtit. Sot e tutje Tushemishti është krejt tjetër. Tushemishti ka gjolin të pastër si kristal. Po kështu edhe Pogradeci. Sot e tutje Shqipëria është tjetër, është anëtare e NATO-s. Sot e tutje, infrastruktura e Pogradecit, e Korçës dhe e mbarë Shqipërisë është një infrastrukturë tjetër. Por, sot dua t’i drejtoj një pyetje çdo qytetari shqiptar; a po ndryshon ky vend? Ata që besojnë se vendi po ndryshon, i ftoj që të vazhdojmë së bashku ndryshimin. Ndryshim jo vetëm me fjalë, por ndryshim me vepra. Ndryshime të cilat ne i meritojmë dhe që prekin jetën tonë dhe jetën e fëmijëve tanë. Ndryshime të cilat bëjnë që Tushemishti, Pogradeci dhe Shqipëria të zhvillohen më shpejtë se asnjë herë. Duke ju përgëzuar për këtë inaugurim, ju jap edhe një herë fjalën se qeveria do të financojë çdo projekt të kësaj qendre të bukur turistike. Mirupafshim në fushatë elektorale, sepse mandati i dytë na duhet për të vazhduar projektet tona. Ne kemi nevojë për projekte dhe jo për fjalë. Ne kemi nevojë për vepra të cilat po i shndërrojmë në realitet.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›