Fier, rruga për në spital, tmerri i drejtuesve
Bluzat e bardha kërkojnë që policia rrugore të mbajë përgjegjësi për kaosin
FIER - Për të shkuar në spitalin rajonal të Fierit ose anasjelltas ambulancat në shumë raste mbeten të bllokuara si rezultat i rrugës kryesore që të çon në të. E njëjta gjë natyrisht ndodh edhe me automjetet që vijnë me urgjencë për të marrë një shërbim të caktuar për personat që kanë probleme shërndetësore apo që rrezikojnë jetën. Në fakt janë vetëm 200 metra rrugë, por që shpesh përbëjnë një problem të madh për të sëmurët e që janë kthyer në një gangrenë për drejtuesit e ambulanave. Dhjetëra makina të tjera që transportojnë të sëmurë gjithashtu bllokojnë rrugën në të dy krahët e askush nuk e liron atë.
Një nga mjekët e urgjencës së spitalit të Fierit thotë se ka pasur mbi dhjetëra raste kur të sëmurët janë sjellë me barrelë nga vendi ku ka ngecur ambulanca ose janë sjellë në krahë nga të afërmit e tyre për shkak se bllokimi i rrugës ka rrezikuar seriozisht jetët e tyre. Bluzat e bardha i bëjnë thirrje policisë rrugore që të jetë më e angazhuar për këtë rrugë, që është kthyer në një nga problemet kryesore të drejtuesve të këtij spitali, ambjentet e brendshme të të cilit janë mbushur me automjete.
"Në këto raste kaosi është më i dukshëm, - pohon shoferi i njërës prej ambulancave të spitalit, Hamit Murati. - E kemi të pamundur për të kaluar. Në këto kushte e kemi çuar të sëmurin me barrelë deri në spital. Ndërkohë që është policia rrugore ajo që duhet ta zgjidhë këtë problem shumëvjeçar". I njëjti shqetësim ngrihet edhe nga drejtoresha e spitalit të Fierit Najada Jahiqi. Ajo thotë se ka një marrëveshje mes institucionit që ajo drejton dhe policisë që në këtë rrugë të ketë një patrullë policie. Por sipas Jahiqit, një patrullë e tillë rrallë duket në këtë zonë.