E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronika e një dorëheqjeje të paralajmëruar

Një nga njerëzit e grupit që solli një frymë të re në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe rilidhi marrëdhëniet me Tiranën, drejtori artistik, Jeton Neziraj, komenton dorëheqjen e kolegut, Arian Krasniqi. Ai denoncon presionin politik të Ministrisë së Kulturës dhe njerëzve të veshur me pushtet

Një ditë para dorëheqjes së z. Arian Krasniqi nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, njëri nga policët që kishim ftuar të na asistonte në heqjen e një reklame ilegale të vënë në muret e TKK-së, po na lavdëronte për ndryshimet që kishim sjellë në teatër. Atë ditë, një kompani private kishte vënë një reklamë ilegale dhe ne nuk kishim as idenë më të vogël se si kishte mundur të ndodhë kjo pa pëlqimin tonë. Doli që Komuna e Prishtinës kishte dhënë leje, bazuar mbi një "pëlqim" joligjor që kishte dhënë dikush brenda teatrit. Dhe, si mund të ndodhë vetëm në ndonjë shfaqje teatri, përmes një telefonate, dikush na vuri në dijeni që, puna e kësaj reklame nuk u dashka të "shpurthej" tutje, sepse qenkan të përfshirë gjer edhe zyrtarë më të lartë shtetërorë të Kosovës. Si rezultat, nga vënia e asaj reklame ilegale, një kompani private ka përfituar para nga klienti i saj, Komuna e Prishtinës ka përfituar para nga kompania private, kurse "zyrtarët më të lartë shtetërorë" presin të përfitojnë pak më vonë kur të afrohen zgjedhjet, me prezantimin e portreteve të tyre në atë hapësirë reklamimi. Siç edhe po shihet, të gjithë janë përfitues me vendosjen e kësaj reklame. I vetmi humbës është Teatri Kombëtar i Kosovës.

Pozicioni aktual i Teatrit Kombëtar të Kosovës është si i një kalaje të vogël që mundohet të mbahet gjallë kundrejt përpjekjeve të "armiqve" të fuqishëm që synojnë të përfitojnë çkado që mund të përfitohet. Rasti i kësaj reklame është vetëm një shembull i fundit i ndërhyrjes politike në punën e këtij teatri.

Ndërhyrjet "nga lart" nuk kanë qenë të lidhura me aspektin programor të TKK-së, por me atë menaxherial dhe ekzekutiv. Këto ndërhyrje kanë ardhur nga nivele të ndryshme politike dhe nga parti të ndryshme politike.

Gjatë kësaj kohe kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme që t'ia ndreqim para publikut imazhin e rrënuar këtij teatri. Por, një pjesë e madhe e energjisë sonë është shpenzuar në ballafaqim me një burokraci të hekurt të MKRS-së.

Logjika komanduese e imponuar nga MKRS-ja, e ka devalvuar pozitën e drejtuesve të TKK-së në pozita të "zyrtarëve të thjeshtë" që kanë kompetenca të limituara, aso çfarë në MKRS mund të kenë asistentët.

Ministria e ka shndërruar teatrin në një nëndepartament të sajin. Vartësia financiare e teatrit është përkthyer nga ministria në vartësi diktati dhe kontrolli që shkon shpesh deri edhe në marrjen e kompetencave ekzekutive teatrit. Në vend që të lehtësojë punën, MKRS-ja shpesh ka qenë pengesë. Dhe këto pengesa nuk mund të them se kanë qenë obstruksione të qëllimshme, por më tepër kanë të bëjnë me një mentalitet burokratiko-bajraktaresk, që kërkon ta ketë tjetrin "nën sundim" me çdo kusht.

Pavarësia dhe autonomia e teatrit e garantuar me ligj, në realitetin ekzistues, duket si një utopi. "Pronësia publike" e TKK-së është përkthyer si "pronësi qeveritare". Mbi këtë logjikë edhe ka vazhduar arbitrarisht të shfrytëzohet salla e teatrit për organizime e manifestime nga ana e institucioneve qeveritare.

Një objekt aq i madh, me mbi 70 të punësuar, sot nuk ka arkë (pety-cash), ku mund t'i marrësh 2 euro për një dërgesë postare ose për blerjen e një fletoreje për punë.
Rreth 9 mijë euro të hyra nga biletat e shitura në pjesën e parë të këtij viti, vazhdojnë të mbahen të bllokuara në arkën e shtetit. Edhe pafund kërkesave, letrave, shkresave, lutjeve, dërgesave, telefonatave etj., etj., në TKK, ndër të tjera, nuk ka: letër A4; letër toaleti; fshesë elektrike, sapun për larje duarsh, thasë të zinj bërlloku... Kjo listë gjërash bazike mund të zgjatet deri në pafundësi.

Tërë këtë gjendje kaotike, z. Krasniqi, në aktin e tij të dorëheqjes e nënvizoi me tri fjali të thjeshta, por domethënëse: "ngushtim të hapësirës për veprim të mëtutjeshëm konform kompetencave që jep ligji për teatër", "fillimit të ndërhyrjeve politike në punët e menaxhmentit të TKK-së", dhe "shtimit të presionit burokratik të zyrtarëve të MKRS-së".
Ministria, para se të organizojë konferenca shtypi për të shprehur "habinë për këtë dorëheqje", është më mirë të fillojë të analizojë pozicionin e saj të deritanishëm me TKK-në. Shpresoj që, kjo dorëheqje e z. Krasniqi, do të heqë ca nga pluhuri burokratik që ka kapluar MKRS-në dhe gjithashtu, të heqë ca nga logjika aktuale e "zyrtarëve të lartë të shtetit" për ndërhyrje politike në TKK.

Dhe që ky skenar të mos përsëritet edhe në të ardhmen, TKK-së duhet t'i garantohet autonomia, edhe artistike, edhe menaxhuese. Ministria duhet ta trajtojë TKK-në me seriozitet dhe ta mbështesë të zhvillohet e reformohet. Pa këtë bazë themelore, problemet në këtë teatër do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. E sërish, humbës do të jetë teatri...

Më duhet, gjithashtu, të sqaroj se, bashkëpunimi im me z. Krasniqi ka qenë i shkëlqyer dhe tejet profesional. Largimi i tij natyrisht se do të krijojë plasaritje të pariparueshme në atë konceptin tonë të përbashkët për një teatër bashkëkohor unik në regjion.
Pozicioni im aktual është si ai i njeriut që mundohet të mbajë drejtpeshimin në vigun e hollë, nëpër të cilin është duke ecur. Shpresoj që do të mbërrij në cak pa qenë i shtrënguar të kërcejë qëllimshëm dhe të dorëzohem nga qëllimi (caku)...

*Drejtor Artistik Teatri Kombëtar i Kosovës


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›