Financat-ministrive: Rishikoni buxhetin
TIRANË- Të gjitha ministrive do t'iu duhet të rishqyrtojnë edhe një herë investimet e parashikuara për t'u kryer gjatë pjesës së mbetur të këtij viti. Ministria e Financave u ka kërkuar ministrive të tjera që të rishikojnë buxhetin e investimeve të parashikuara për muajin në vazhdim me qëllim kursimin e sa më shumë parave pas shpenzimeve kolosale për përmbushjen e investimeve publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit.
Me këtë veprim, Ministria e Financave, pranon hapur efektet negative që kriza ekonomike ka shkaktuar në buxhetin e shtetit, ndërsa njëkohësisht kërkohet edhe mbulimi i deficitit të krijuar nga mos arritjet e planit në mbledhjen e taksave. Nëpërmjet rishikimit të planit të investimeve qeveria kërkon të krijoje një fond të posaçëm kontigjence, ndërkohë që vazhdimisht specialistë të ekonomisë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste kanë vënë theksin tek shpenzimet e mëdha të kryera për fushatë.
Në kuadër të mbledhjes të sa më shumë të ardhurave qeveria gjithashtu ka në plan që në muajt në vazhdim të nxjerrë në shitje aksionet e mbetura ende në pronësi të shtetit në kompanitë me kapital shtetëror ndërsa, paratë që do të përfitohen do të përdoren për buxhetin e këtij viti.