E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, sekuestrohen pronat e nënës së trafikantit, vlejnë 650 mijë euro

FIER - Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Fierit sekuestroi pronat dhe llogaritë bankare të shtetases Teferi Nuri Hamzaraj, si dhe të familjarëve të saj, në kuadër të operacionit “Lotari e rreme”.

Mësohet se sekuestrimi i pronave është bërë pasi djali i shtetases Teferi Hamzaraj, Fatos Xhavit Hamzaraj, vjeç 29, rezident në Angli, është arrestuar nga autoritetet e zbatimit të ligjit në këtë shtet, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me tendencën e trafikut të lëndëve narkotike.

Policia bëri të ditur se në total vlera e aseteve të sekuestruara është rreth 650 mijë euro dhe përfshin një apartament me sipërfaqe 120 metër katrorë në qytetin e Fierit, një sipërfaqe trualli 782 metër katrorë në komunën Cakran, një pikë karburanti në komunën Cakran me sipërfaqe 150 metër katrorë, disa garazhe, një palestër, një Bar Kafe, si dhe të gjitha pajisjeve të ndodhura në këto aktivitete.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se shtetasi Fatos Hamzaraj, për një periudhë prej rreth tre vjetësh, të ardhurat e përfituara në mënyrë të paligjshme nga trafiku i lëndëve narkotike, i ka transferuar tek familjarët e tij në Shqipëri, përmes transfertave bankare dhe kesh, dhe këta të fundit janë mundur t’i justifikojnë si para të ligjshme dhe t’i investojnë në biznese.

“Në ngarkim të shtetasit Fatos Hamzaraj është regjistruar Procedimi Penal nr. 322 i vitit 2011 për veprën penale “Pastrim i produkteve të Veprës Penale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.Nga Sektori kundër Pastrimit Parave në Departamentin Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vazhdon puna dhe po kryhen hetime intensive për dokumentimin e gjithë aktivitetit të tij kriminal.”- bëri të ditur Policia e Shtetit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›