Fier, shkarkohen të majtët në mbledhjen e Këshillit Bashkiak
Krijohet një konfigurim i ri për këshillin bashkiak të Fierit. Vasil Ndreko është zgjedhur kreu i ri i këshillit të Bashkisë Fier me 18 vota të këshillarëve të Aleancës për Qytetarin, duke u shkarkuar me këtë votim kreu i këshillit të mëparshëm, i cili i përkiste të majtës. Ky zhvillim i ri ka ardhur dje pasdite në një mbledhje të jashtëzakonshme, e cila ishte kërkuar prej disa ditësh nga këshilltarët e djathtë. Në këtë mbledhje mungonin kreu i këtij këshilli si dhe këshilltarët e majtë të zgjedhur në 21 korrik të këtij viti.
E jashtëzakonshmja e kësaj mbledhjeje qëndron në qëndrimin e këtij grupimi ndaj kreut të këtij këshilli, pasi sipas tyre janë shkelur procedurat ligjore dhe nuk ka pasur transparencë në konstituimin dhe ngritjen e komisioneve. Zgjedhja e këtij këshilli të ri dhe rrëzimi i atij të mërparshmit i zgjedhur më 21 korrik është mundësuar edhe në bashkimin e dy këshilltarëve të majtë, njëri i PS-së dhe tjetri i PSD-së, të cilët pasi bënë betimin, kaluan me LSI-në. I vetmi që ka reaguar në këtë mbledhje ka qenë juristi i bashkisë Luan Cala, i cili është shprehur se mbledhja mund të zhvillohet, por jo të merren vendime pasi kjo është në kundërshtim me ligjin.
Edhe pse është lëshuar kjo deklaratë, mbledhja ka vazhduar duke ndjekur procedurat e tjera. Pas betimit të dy këshilltarëve që kaluan me LSI-në, fillimisht është shkarkuar kreu i këshilltarëve të majtë dhe është zgjedhur drejtuesi i ri pas votimit të fshehtë. Pas përfundimit të këtij votimi, 18 këshilltarë kanë votuar si kreun e ri të këtij këshilli Vasil Ndrekon, sekretar i prefekturës Fier dhe nënkryetare është zgjedhur Zamira Çaushaj. Gjithashtu, në këtë mbledhje të parë të këtij këshilli bashkiak, tashmë i drejtuar nga Aleanca për Qytetarin, është shkarkuar edhe bordi drejtues i Ujësjellësit Fier dhe janë zgjedhur të tjerë nga Partia Demokratike.
Në vijim të zgjedhjeve, ky këshill ka zgjedhur edhe katër anëtarë të Këshillit të Qarkut Fier, duke shkarkuar të majtët. Këto vendime të marra, të cilësuara nga të majtët si jo të ligjshme, kanë bërë që kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, të reagojë menjëherë së bashku me dy deputetë të Fierit, Albert Çaçi dhe Armando Subashi. Ata kanë zhvilluar një konferencë shtypi, ku të tre e kanë quajtur këtë mbledhje të paligjshme. Sipas Zeqajt, kjo është një maskarada e radhës e Partisë Demokratike. Mbledhja e këtij këshilli është një mbledhje turpshme e radhës. Ajo është zhvilluar me 16 këshilltarë, ndërkohë që duhet të ishin shumica e këtij këshilli, ka thënë ai. / Kristaq Thana