E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon tentativa për arratisje e katër të burgosurve, tre prej tyre me dënim të përjetshëm

Dështon tentativa e katër të dënuarve për tu arratisur nga burgu i Fushë Krujës. Gëzim Guri, Fran Marashi, Prel Vucaj, dënuar me burgim të përjetshëm si dhe Altin Kodra, i dënuar me 22 vjet heqje lirie kanë tentuar të arratisen nga burgu i Fushë Krujës ku vuanin dënimin.

Sipas drejtorisë së përgjithshme të burgjeve mësohet se forcat e sigurisë të institucionit kanë konstatuar në orët e para të mëngjesit të së martës se 4 të dënuar të sigurisë të lartë në përpjekje për tu larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit. Pasi kanë dëmtuar murin e brendshëm të dhomës ku ata qëndronin, kanë prerë 3 hekura të dritares dhe kanë dalë nga dhoma. Më pas poshtë dritares së tyre, ata janë vënë re nga polici i shërbimit i cili ka njoftuar menjëherë forcat e tjera të policisë së burgjeve. Personat janë neutralizuar menjëherë, pa arritur të përmbushnin qëllimin e tyre. Menjëherë janë marrë të gjitha masat dhe këta të dënuar janë izoluar dhe veçuar në dhoma të veçanta.

Por duket se nuk është hera e parë për Fran Marashin që të tentojë të arratiset nga burgu. Këtë gjë e ka bërë edhe në vitin 2008, ku ka tentuar të arratiset nga burgu i Burrelit por është kapur. Madje para oficerëve të policisë gjyqësore Marashi ka pohuar se “vetëm kreva detyrën, pasi detyra e një të burgosuri është të përpiqet të fitojë lirinë, qoftë edhe përmes arratisë, ndërsa detyra juaj ishte që të më ruanit”.

E duket se këtë fjalë e ka mbajtur pasi ka tentuar për të dytën herë radhazi të arratiset nga burgu i Fushë Krujës, por edhe këtë herë tentativa ka dështuar, pasi policët kanë kryer detyrën e tyre ashtu si ai ka bërë detyrën e tij. Por kush është Fran Marashi? Ai është arrestuar në vitin 2006 dhe dënuar me burgim të përjetshëm, për pjesëmarrje në banda të armatosura dhe për masakrën në Urën Vajgurore më 17 qershor 1997, ku humbën jetën katër policë./ora news/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›