Nju Jork,Berisha: Opozita të bashkëpunojë për integrimin

Kryeministri Berisha i ka bërë apel opozitës të përfshihet në mënyrë serioze në ndryshimet në reformën zgjedhore. Gjatë një takimi me kongresmenët Eliot Engel dhe Joseph Crowley në Nju Jork, kreu i shtetit ka deklaruar se mirëpret kthimin e opozitës në parlament ndërsa shtoi se shpreson që opozita do të kontribuojë në plotësimin e reformave të kërkuara për integrimin në Bashimin Europian.
Gjatë takimit të kryeministrit Berisha me kongresmenin Engel u diskutua për çështjen e njohjes së mëtejshme të Kosovës dhe koordinimin e përpjekjeve në këtë drejtim. Kryeministri Berisha çmoi si shumë të rëndësishëm liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, si një moment i cili do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm si në planin e përgjithshëm ekonomik, ashtu dhe në planin e rritjes së lirive të qytetarëve të saj.
Kongresmeni Engel e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e palëkundur të qeverisë amerikane në lidhje me çështjen e Kosovës, duke vlerësuar edhe maturinë e qeverisë së saj në lidhje me hapat e ndërmarrë për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e sovranitetit të saj.
Kryeministri, nga ana e tij, konfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për ruajtjen e kufijve ekzistues në Ballkan, si politika më e mirë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ndërsa gjatë takimit me kongresmenin Crowley u diskutuan çështje të interesit të përbashkët, ku fokus të veçantë patën marrëdhëniet dhe zhvillimi i diasporës shqiptare, veçanërisht në New York. Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe në zhvillimin e demokracisë. Ai vlerësoi rolin e diasporës shqiptare dhe falënderoi kongresmenin Croëley për mbështetjen e tij personale ndaj saj. Të dy kongresmenët shprehën dëshirën për të vizituar sa më shpejt Shqipërinë.