E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fier, tatim taksat për subjektet debitore: Do tu sekuestrohen pasuritë

>Mbi 300 subjekte në rrethin e Fierit rezultojnë debitorë ndaj degës së Tatim-Taksave. Drejtoria e borxhit ka bërë publike të dhënat më të fundit në këtë institucion, nga ku rezulton se për vitin 2008 dhe përgjatë vitit 2009 borxhi i krijuar nga subjektet private dhe ato shtetërore shkon në vlerën monetare prej 2.25 miliardë lekë të reja. Debitorët më të mëdhenj mbeten padyshim sektori i naftës dhe ndërmarrjet e ujësjellësve. Kjo vlerë debiti sipas kësaj drejtorie kap 90% të totalit të debisë. Sipas tatim-taksave në Fier, ky borxh është krijuar si rezultat i mosshlyerjes së detyrimit të TVSH-së, akcizës, sigurimeve shoqërore dhe të tatimit mbi të ardhurat personale. Kemi shumë subjekte të këtyre natyrave si kompani nafte duke filluar me Albetrolin dhe qendrën e përpunimit të thellë të naftës në Patos, ndërkohë që ujësjellësit e të gjitha njësive vendore janë debitore kundrejt drejtorisë sonë. Kemi çuar disa herë shkresa zyrtare po asgjë nuk është bërë prej tyre duke e lënë situatën të degradojë. Në disa raste nuk e kanë pranuar si borxh pasi në periudhë këto borxhe i përkasin viteve 2000-2008 dhe kanë kaluar automatikisht si borxhe të institucionit por drejtorët e rinj nuk pranojnë ta paguajnë duke thënë se nuk kanë asnjë punë me borxhet e para ndërsa premtojnë se për periudhën që drejtojnë vetë, do të jenë të rregullt. Mirëpo këtë nuk kuptojnë drejtuesit që institucioni nuk është individ dhe borxhet nga një njësi institucion tek tjetri janë të rëndësishëm", ka vijuar shefja e zyrës së borxhit në këtë institucion, Elona Hada. Duke marrë parasysh këtë fakt drejtoria e Tatim-Taksave ka zbatuar edhe masën e penalizimeve për subjektet dhe bllokim të llogarive bankare si dhe moskryerje të shërbimeve në institucionet e tjera për subjektet. Ndërkohë nga drejtoria e tatimeve bëhet e ditur se për subjektet private që nuk i kanë shlyer këto detyrime do të bëhet evidentimi i pronave dhe pastaj do të kryhet procesi i sekuestrove, ndërsa ligji parashikon deri dhe masën ekstreme të ndjekjes penale për ato subjekte që nuk shlyejnë debitë ndaj degës së Tatim-Taksave. "Kemi të drejtë të veprojmë sipas ligjeve në fuqi deri në sekuestrim të pasurive të këtyre institucioneve. Këtë radhë shpresojmë të mos ndalemi përpara asgjëje, pasi shuma e lekëve është shumë e madhe", është shprehur Hada, sipas së cilës, megjithatë vlen për tu theksuar se krahasuar me një vit më parë, borxhi është reduktuar me afro 51 milionë lekë të reja, duke reduktuar edhe numrin e subjekteve debitore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›