PDS akuzon qeverinë se po saboton procesin zgjedhor
>Partia Demokracia Sociale, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm, Artur Duçkallari ka shprehur dje shqetësimin e saj për vonesat dhe mefshtësinë e ekzekutivit në ngritjen e infrastrukturës zgjedhore. Ne konstatojmë me keqardhje se në 150 ditët që kanë mbetur, për të organizuar gjithçka që do të na mundësonte zgjedhje të lira dhe të ndershme, shumë prej afateve të Kodit Zgjedhor rrezikojnë të shkelen, duke cenuar cilësinë dhe standartin e këtyre zgjedhjeve,- u shpreh Duçkallari.
Kur jemi vetëm 5 muaj larg ditës së votimeve për Kuvendin e ri, vijoi ai, edhe pse sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, kërkohet miratimi i anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, miratimi i listave paraprake të zgjedhësve, trajnimi i komisionerëve, si dhe ngritja e një sistemi të plotë të administrimit të procesit zgjedhor, rezulton se i vetmi institucion i ngritur është ai Kolegjit Zgjedhor nga Gjykata e Apelit. Duçkallari tha se gjithashtu PDS vëren me shqetësim se qeveria me paaftësinë dhe pamundësinë për të plotësuar kërkesat e shtetasve të saj për tu pajisur me kartat e identitetit, po keqadministron një tjetër proces shumë të rëndësishëm dhe mjaft ndikues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Fakti qe ende sot, vijoi ai,qytetarët nuk kanë marrë në dorë asnjë kartë identiteti, ndonëse u kërcënuan me ndërprerje pensioni apo moslejim për të udhëtuar jashtë Shqipërisë, tregon edhe njëherë qartazi mënyrën e organizimit kaotik të këtij procesi, nga një qeveri e përfshire nga kaosi në fund te mandatit te saj. Qeveria Berisha duhet të kuptojë se qytetarët nuk janë dhe nuk mund te përdoren më si gurë shahu në një fushë beteje,- u shpreh ai. Duçkallari theksoi se Shqiptarët kanë të drejtën të votojnë të lirë dhe kjo duhet tu mundësohet, jo me aksione, por me një infrastrukturë të plotë dhe të mirëorganizuar, duke nisur nga ndarja e kartave të identitetit dhe deri te komisionet e qendrave të votimit apo grupet e numërimit.Ai deklaroi se Partia Demokracia Sociale i bën thirrje qeverisë të lërë mënjanë sherret e brendshme për biletat e avionëve dhe të përqendrohet në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme për pjesën që Kodi Zgjedhor i ngarkon strukturës shtetërore. Gjithashtu, Duçkallari bëri të ditur se Partia Demokracia Sociale me objektivin e saj për të patur grupin e saj parlamentar në Kuvendin e ri, tanimë në disa prej qarqeve, ka përcaktuar kandidatët e saj, si dhe është në një proces diskutimi jo vetëm brenda partisë, por edhe me shoqërinë civile dhe personalitete të jetës publike për të përmbyllur një listë kandidatësh për deputetë, të cilët do tu ofrojnë votuesve një alternativë qeverisëse bindëse. Ne vlerësojmë se bashkëpunimi i partive opozitare mbetet në të njëjtën kohë, një element i rëndësishëm për të organizuar një fushatë elektorale efikase dhe të suksesshme që do të konkludojë, jo vetëm me largimin e Sali Berishës nga qeveria, por edhe me një ofertë të sinqertë për shqiptarët,- përfundoi Duçkallari.