Fier, tregtarët ambulantë në "sitë" për produktet e qumështit
Edhe pse disa herë janë ushtruar kontrolle të imtësishme në shumë pika të tregtimit në qytetin e Fierit, sërish problemi mbetet evident porsa i përket ushqimeve të skaduara, të cilat vazhdojnë të rrezikojnë qarkun e Fierit. Specialistët e sektorit të veterinarisë kanë vijuar ndërkohë me aksionet e tyre të përditshme për të verifikuar nga afër të gjitha ushqimet që nxirren në treg.
Më tepër këto kontrolle të ditëve të fundit kanë qenë të fokusuara në produkte dhe nënproduktet e qumështit, ku janë ndeshur probleme pikërisht në tregtinë në tregjet ambulante të vendosura diku pranë merkatës dhe në disa lagje të qytetit. Drejtorja e departamentit të veterinarisë, Luiza Strati ka deklaruar se ndodh që shpeshherë këto kontrolle të shoqërohen edhe me masa ndëshkimore siç janë gjobat në mijëra lekë. "Jemi munduar të mbajmë nën kontroll situatën, por kuptohet që përballë këtyre kontrolleve rutinë ndeshim edhe indiferencën qytetare. Këta të fundit duhet të krijojnë një marrëdhënie më të ngushtë me drejtoritë tona, me qëllim që edhe ne të kemi mundësi ta luftojmë më mirë këtë problem të mprehtë. Unë nuk mund të them që kemi pasur qumësht të prishur, por fakti që disa fermerë e sjellin qumështin nga fshati të hedhur në bidonë plastikë ne na jep të drejtën të bëjmë asgjësim të tij sepse kjo mënyrë ambalazhimi është një rrezik për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme", ka vijuar ndër të tjera Strati. Vetëm kohët e fundit produktet me probleme janë konstatuar gjatë kontrolleve në treg tek fermerët e zonave rurale, pasi malli nuk kishte certifikatë veterinarie dhe të drejtorisë përkatëse. Ndërkohë në kontrollet e inspektoratit të veterinarisë janë përfshirë edhe 60 njësi thertore, ku në 90 % të rasteve shitet mall i kontrolluar. "Të gjitha produktet e mishit që tregtohen në qytetin e Fierit trajtohen në thertore dhe me licencë të kontrolluara nga inspektorët veterinarë të cilët kryejnë edhe vulosjen e produkteve që shkojnë në treg për shitje" ka sqaruar më tej Strati. Kontrollet e inspektoratit mësohet se do të vazhdojnë edhe përgjatë muajit mars e në vijim për ushqimin që do të tregtohen ,duke qenë se stina e nxehtë po mbërrin, kësisoj edhe rreziku është më i lartë.
Email This Klikime: 2
Email This Klikime: 2