E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse po ulërijnë "Skorjet" e PPSH?

Nga Bedri ÇOKU
Po të lexosh a dëgjosh këto ditë mediat e shkruara e vizive, lidhur me ligjin e dosjeve bie në sy dukshëm, keqardhja e disa skorjeve të P.P.SH, gjoja për popullin e tyre, i cili paska vuajtur shumë i shkreti në të kaluarën, sidomos nga luftërat brenda vetes. Ndaj tashmë, thonë ata, nuk është nevoja të stisen ligje të tjera që të kujtojnë të kaluarën e hidhur, për të cilën ata, karafillakët e kuq, për çka hoqën shqiptarët në diktaturë, bëjnë të paditurin ose përdorin shprehjet steriotipe se të gjithë shqiptarët vuajtën nga regjimi komunist, sepse të gjithë e përkrahën dhe iu nënshtruan Luftës së klasave...(!!!). Pastaj bëjnë edhe moralistin, duke dhënë leksione se kush duhet ta udhëheqë këtë popull, nga sot e tutje për të mos vuajtur prej mllefeve dhe inatet. As më shumë e as më pak,   vetëm 30-40 vjeçarët, thonë ata, duhet të drejtojnë shtetin në Shqipëri, pasi vetëm të këtij brezi na qenkan më pak të politizuar e të indoktrinuar. Sepse ky brez, gjasme nuk e ditka shumë ç është bërë në të kaluarën dhe nuk ushqyeka  inate e urrejtje për regjimin komunist... sidomos për ata që vranë, vodhën e masakruan popullin gjysmë shekulli... Ky nuk është naivitet nga ana e tyre, por   një ligësi e shkallës superiore. Poshtërsi. Sepse ata kanë frikë të ballafaqohen me të kaluarën e tyre kriminale, antishqiptare dhe parapëlqejnë të drejtohen nga erionët e veliajt, 30-40 vjeçar, që po tromaksin kalamajtë me budallaqe e tyre sa herë dalin nëpër ekranet e shumta televizive... Gdhihen e ngrysen me fjalët mallkuese për liderin e së djathtës, pa guxuar të mallkojnë drejtpërsëdrejti  pikërisht ata që rreshtohen prapa formacionit të këtij lideri, apo ndoshta që mund të rreshtohen papritur në radhët e politikbërësve të maxhorancës në pushtet:  njerëzit e shtresës antikomuniste, pronarët e ligjshëm dhe ish- të burgosurit politikë...! Ky është tmerri i vërtetë i njerëzve që mbrojnë të kaluarën kriminale të komunizmit! Ulërijnë që të mos vijë kurrë ajo ditë që politikbërja dhe vendimmarrja të jetë në duart e atyre që ata, për interesat e internacionalizmit proletar i vranë, i burgosën, i varën dhe i grabitën... Ndaj e bënë edhe revolucionin komunist më 1997, menjëherë sapo doli ligji i lustracionit më 1995, i cili i përjashtonte gjinushët me shokë nga e drejta për të qenë në pushtet; ndaj edhe për tetë vjetët në qeverisje, 1997- 2005, u pasuruan me shpejtësi marramendëse duke vjedhur çdo gjë kombëtare e private. Në këto 18 vjet   njerëzit e ndëshkuar barbarisht nga regjimi komunist, vërtetuan katërcipërisht se,   në asnjë rast e vend nuk dhanë qoftë edhe shenjën më të vogël për revansh  politik, apo dëshirë për tu hakmarrë, një shembull i shkëlqyer dhe patriotik ky para popullit të vet, përsëri komunistët dhe pjella e tyre, apo gjithkush tjetër që ka pasur e ka lidhje me të kaluarën komuniste, ndjehen të pa sigurt e në beftë, sa herë gjenden përballë viktimave të krimeve të tyre, ulërijnë pa lëvizur asnjë çast nga istikami i frikës e i urrejtjes së tyre klasore. Ata kanë frikë, ngase Berisha, i cili ka pushtet e forcë ligjore për tu bërë gjëmën mëkatarëve të djeshëm, një ditë prej ditësh mund të vendos për të ndëshkuar të kaluarën, prandaj edhe e sulmojnë aq çnjerëzisht. Megjithatë, populli shqiptar pati kohë e mundësi, në këto 18 vjet në liri, pak së paku, për të njohur e provuar drejtpërsëdrejti cilët ishin dje,  ata që sunduan me zjarr e hekur bashkombësit e vet dhe cilët ishin dhe janë sot   pikërisht ata  që ia deshën dhe ia duan të mirën popullit dhe Shqipërisë. Të jesh i lig nuk është e thënë vetëm pse ke ushtruar dhunë e terror për të realizuar qëllimet e dëshirat e tua demoniake, por edhe kur, për të zezat që ke bërë,  përpiqesh po aq ligësisht e djallëzisht ti fshehësh ato apo ti mbrosh nga NDËSHKIMI... me shpresën e idiotit apo të injorantit se një ditë gjithçka mund të harrohet dhe ligësia e padrejtësia, sipas tyre, do të triumfojë përsëri si në komunizëm. Këta zotërinj, skorje të komunizmit, harrojnë që me sistemin e tyre gjakatar nuk ndëshkuan vetëm njerëzit që iu kundërvunë sistemit të tyre, por gjithë popullit shqiptar, ndëshkuan Shqipërinë për tu bashkuar e për tu integruar me vendet e zhvilluara e demokratike... Sot hidhen përpjetë sapo ndodh një fatkeqësi natyrore apo njerëzore, qoftë edhe për shkak të një qeverisje të keqe, thua se fatkeqësia më e madhe për popullin dhe Shqipërinë, në të gjitha kohërat janë këto fatkeqësi për shkak se në krye të qeverisë, fatkeqësisht na qenka një  ish- komunist që përfaqësuaka krahun e djathtë... Dhe sajojnë lloj-lloj thashetheme e lloj- lloj inate, sepse si i tillë, ky ish- komunist nuk paska të drejtë morale të mbrojë të drejtat e të burgosurve politikë e të pronarëve të ligjshëm, apo të kërkojë zbatimin e lustracionit, pasi, thonë ata, ai ka qenë vetë një nga miratuesit apo ekzekutuesit e diktaturës. Mirëpo, harrojnë se për të sulmuar një  ish- komunist, i cili kërkon ndershmërisht dhe me guxim ballafaqimin me të vërtetat e krimeve komuniste, duhet të kesh bërë apo të bësh, të paktën formalisht, më tepër se sa ai për dënimin e regjimit diktatorial dhe për integrimin e kundërshtarëve të dëmtuar aq shumë moralisht dhe ekonomikisht nga diktatura. Harrojnë se për të riparuar gropat e zeza të sistemit të kaluar, barbar e primitiv, si edhe pasojat që revolucioni i tyre serbo-greko-komunist i vitit 1997- të la, për të cilat nuk do të ketë qeveri në botë ti riparojë, brenda katër viteve të një legjislature, sa do i pasur dhe i përparuar të jetë vendi i asaj qeverie... Harrojnë se gjysmë shekulli diktaturë dhe shkatërrim total të ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare, si pasojë e tradhtisë kombëtare dhe lakmisë për pushtet, si edhe një 97 të kobzezë për qëllimet e tyre kobzeza, ngjarjet e tjera, sado të dhimbshme të jenë, kurrsesi nuk mund të krahasohen me bëmat e tyre pushtetare mbi pesëdhjetëvjeçare... Qajnë e ulërijnë për të ardhur me patjetër në pushtet, gjoja se do të jenë këta shpëtimtarë të së ardhmes demokratike të Shqipërisë, por  harrojnë se populli dhe ndërkombëtarët i panë dhe i provuan këta bandillë gjatë  8 vjetësh që qenë në pushtet sa demokratë e përparimtarë ishin, kur në vend që të përmirësonin imazhin e tyre të së kaluarës dhe ekonominë e vendit të rrënuar nga revolucioni i tyre komunist, përkundrazi, bënë krejtësisht të kundërtën. Thirrën në qeveri të gjithë ish- spiunët dhe marksist-leninistët e thekur dhe nisën  nga e para luftën e klasave. Hoqën nga puna mijëra kundërshtar politikë, duke i zëvendësuar ata me militantë dhe besnikë të Partisë së Punës së Shqipërisë. Organizuan vjedhjet në mënyrë të përsosur dhe brenda pak muajsh u bënë milionerë. Për tetë vjet ata krijuan klasën e tyre të miliarderëve, ndërsa ish- të burgosurit politikë, pronarët e ligjshëm dhe demokratët e Partisë Demokratike u persekutuan njëlloj si në kohën e Diktaturës. Pale, kur qajnë me lot krokodili për të burgosurit politikë dhe pronarët e grabitur nga diktatura, për klerikët e masakruar, gjoja sikur Partia Demokratike dhe Qeveria e saj nuk kanë bërë dhe sbëjnë asgjë për ta dhe, betohen, nëse do të vijnë  edhe një herë në pushtet, këta pasardhës dhe ish- sigurimsa dhe bijë të anëtarëve të Byrosë Politike, këto antikomuniste, më në fund do të fitojnë të drejtat e mohuara tash 60 e ca vite më parë.. !? Por harrojnë ç bënë gjatë 45 vjetëve në Diktaturë dhe si u tallën me ta, kur ua rrëzuan me dhunë qeverinë e tyre demokratike, antikomuniste, më 1997-tën. Tani, që shpresat për të shpëtuar nga ndëshkimi i ligjit që ka hyrë në fuqi për lustracionin dhe dënimin e krimeve të komunizmit, i kanë mbështetur tek disa ambasadorë perëndimorë me begraund të dyshimtë, të cilët pa asnjë etikë diplomatike i fusin hundët në problemet familjare të shqiptarëve, pa ua kërkuar kush, kanë marrë zemër dhe po shpallin edhe sondazhe me shifra seksi që i nxjerrin fitimtarë në zgjedhjet e ardhshme. Gjithsesi, ata përsëri harrojnë se po nuk u distancuan nga krimet dhe vjedhjet që kanë bërë gjatë diktaturës dhe tetë vjetet e tjera në pluralizëm, besa, zor se i beson më ndonjë shqiptar i ndershëm,  sloganet dhe përbetimet alla komuniste të tyre.  

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›