E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngrohja me mangall asfikson familjen me 9 pjesëtarë

Ndezja e mangallit për t'u ngrohur në mbrëmje për shkak të temperaturave të ulëta për pak sa nuk u ka marrë jetën 9 pjesëtarëve të një familjeje në qytetin e Vlorës. Duke u ngrohur pranë sobës, ata i ka zënë gjumi dhe monoksidi i karbonit çliruar nga djegia për pak sa nuk u ka marrë jetën duke u shkaktuar asfiksi. Fatmirësisht ka qenë njëra nga gratë e shtëpisë që është përmendur duke lajmëruar gjitonët, të cilët kanë bërë të mundur shpëtimin e jetës së 9 pjesëtarëve të kësaj familjeje, ku më të rrezikuar kanë qenë 3 fëmijët e saj. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen vonë të së enjtes, në familjen Dapaj me 9 pjesëtarë, në lagjen "Pavarësia" të qytetit bregdetar. Ngase gjatë gjithë ditës, por veçanërisht në mbrëmje ka qenë një temperaturë shumë e ultë, nga gratë e shtëpisë është ndezur edhe soba në njërën prej dhomave të banesës. Një pjesë e familjes ka shkuar të flejë në dhomën ngjitur, ndërkohë që 5 prej pjesëtarëve të saj i ka zënë gjumi pranë sobës. Kështu si rezultat I djegieve të lëndëve të ndryshme të hedhura në të kanë dalë sasi të konsiderueshme të monoksidit të karbonit që u ka shkaktuar të gjithë pjesëtarëve asfiksi. Fatmirësisht, ka qenë njëra nga gratë e familjes që e ka ndjerë më shumë dhe e para dhimbjen e kokës dhe në momentin që është çuar për të kërkuar ndihmë, ka parë se të gjithë pjesëtarët e familjes së saj kanë qenë në gjendje alivanie. Menjëherë ajo ka bërtitur dhe është dëgjuar nga fqinjët e saj. Njëri prej tyre tregon se sapo kanë dëgjuar të bërtiturat, janë çuar edhe ata nga gjumi dhe kanë parë fqinjën të bërtiste dhe të kërkonte ndihmë. "Sapo kemi shkuar në banesën e saj që është ngjitur me tonën, kemi parë 9 vetë që ishin të gjithë shtrirë dhe në banesë kemi ndjerë erën e rëndë të monoksidit të karbonit. Kemi kuptuar se ishte lënë soba ndezur. Menjëherë kemi hapur të gjitha dyert e dritaret dhe kemi nxjerrë me shpejtësi jashtë të gjithë pjesëtarët e familjes Dapaj. Po ashtu kemi organizuar menjëherë punën dhe të gjitha makinat që kishim në atë moment afër i kemi nisur për në spitalin rajonal me të përgjumurit prej asfiksisë", tregojnë banorët. Mjekë të spitalit rajonal tregojnë se të sëmurët kanë qenë në dy kategori. Fëmijët e familjes kanë qenë në gjendje me të vërtetë shqetësuese dhe ka qenë pikërisht ndërhyrja e menjëhershme e mjekëve që u ka shpëtuar jetën atyre. Më mirë kanë qenë pjesëtarët e mëdhenj të familjes por edhe ata kanë pasur nevojë të ndërhyrjes mjekësore të specializuar dhe për këtë arsye janë mbajtur gjatë gjithë natës nën kujdesin e mjekëve të urgjencës së spitalit. Djes në mëngjes ata janë lënë të shkojnë pranë banesës së tyre. Me këtë rast, drejtoria e shëndetit parësor në qytet por edhe drejtoria e policisë kanë bërë thirrje për të pasur kujdes me ngrohjen, sepse mund të rrezikohen jetë njerëzish siç ndodhi edhe mbrëmjen e së enjtes.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›