E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, marrin peng të dashurin e motrës, prangosen 3 vëllezërit

Zbritet nga makina 22 vjeçari. Dhunohet nga vëllezërit e vajzës që dashuronte
Vetëm një ditë përpara festës së Shën Valentinit, një 22- vjeçar nga Berati ka përfunduar i dhunuar dhe i marrë peng nga vëllezërit e vajzës me të cilën pretendonte të fejohej. Krenar Kanaçe, banor i fshatit Duhanas, priste të fejohej me një vajzë nga Berati me të cilën mendohet të ketë pasur një lidhje edhe të mëparshme, por ka përfunduar i marrë peng dhe mbajtur forcërisht me dhunë për rreth 40 minuta nga tre vëllezërit e vajzës Nazëraj. Ngjarja thuajse e pazakontë ndodhi dje në mesditë, në qendër të qytetit të Beratit, ku dëshmitarët okularë që kanë parë skenën e dhunshme janë traumatizuar nga mënyra se si e kanë marrë me dhunë 22- vjeçarin. Kanë qenë dhjetëra kalimtarë të rastit, ndërkohë që policia ka arritur të ndalojë mjetin e rrëmbyesve dhe si rezultat të mundësojë lirimin e të riut vetëm pas një aksioni që nga zgjatur 45 minuta.
Ngjarja
Rreth orës 13:20 të mesditës e djeshme, 22- vjeçari është zbritur forcërisht nga makina e tij, pasi në fillim tre persona i kanë ndërprerë rrugën me makinë, teksa udhëtonte në qendër të qytetit. Pasi i kanë ndërprerë rrugën me makinën e tyre, tre pengmarrësit të identifikuar si Nderim, Edmond dhe Gazmend Nazëri, përkatësisht 45, 40 dhe 32 vjeç, banor të lagjes "D, Kastroti" dhe "30 Vjetori" i kanë dalë përpara duke e detyruar të ndalë mjetin. 22- vjeçari Kanaçe, mësohet se udhëtonte me mjetin e tij tip "Alfa Romeo" me targa të Beratit BR: 2858B në qendër të qytetit përpara kinemasë "13 Shtatori". Dëshmitarët okularë që kanë parë skenën, u kanë pohuar forcave të policisë ngjarjen si dhe targën me të cilën tre personat kanë marrë peng një djalë. Po të njëjtit persona kanë treguar në hollësi ngjarjen që sipas tyre, tre personat në fillim i kanë kërkuar ndalimin e makinës dhe më pas e kanë detyruar forcërisht të riun të zbresë nga mjeti. Ky i fundit mësohet se pasi është përballur me tre personat shumë afër mjetit është detyruar të ndalë drejtimin e mjetit dhe në këto çaste është nxjerr nga mjeti dhe po forcërisht pasi është dhunuar është detyruar të hipë në një tjetër mjet, të cilin e drejtonin tre vëllezërit. Në anë të rrugës mësohet se ka qenë mjeti tip foristradë me targa të Beratit 2413 B dhe tashëm të katër personat kanë udhëtuar për në dalje të qytetit. Pranë komisariatit të policisë mësohet se ka mbërritur informacioni i parë mbi ngjarjen dhe menjëherë është organizuar puna nga forca të shumta të policisë. Me një aksion të shpejtë, uniformat blu kanë bllokuar menjëherë rrugën hyrëse e dalëse të qytetit duke ngritur postblloqe si dhe duke vënë në shërbim forcat e policisë të komisariatit dhe ato të drejtorisë të policisë së qarkut. Mjeti tip fuoristradë mësohet se fillimisht është parë të udhëtojë drejt hyrjes së qytetit, por vënia e menjëhershme në lëvizje e uniformave blu duket se ka bërë që pengmarrësit të ndryshojnë destinacion, duke lëvizur në rrugët e brendshme të qytetit. Pak minuta më pas, mjeti është parë sërish të përshkojë me shpejtësi rrugën kryesore të qytetit për në dalje të tij. Për rreth 40 minuta i riu është mbajtur peng në mjet, ku dhe mësohet të ketë rënë pre e dhunës fizike dhe të presionit psikologjik. Uniformat blu dhe trupat specialë të ndjekjes pranë Drejtorisë së Policisë Berat mësohet se kanë arritur të bllokojnë në dalje të stadiumit "Tomorri" mjetin ku mbahej peng 22- vjeçari. Menjëherë uniformat blu kanë bërë thirrje që mjeti të ndalet dhe tre personat që udhëtonin në të nuk kanë bërë asnjë lloj rezistence, por kanë ndaluar mjetin duke u vetëdorëzuar dhe në këtë mënyrë duke lënë të lirë pengun e tyre. Më pas, kanë qenë forca të shumta të policisë ato që kanë shoqëruar për në ambientet e dhomave të paraburgimit të komisariatit tre vëllezërit Nazëraj, të akuzuar për "Rrëmbim Personi i kryer në bashkëpunim". Nga ana tjetër, policia ka lënë të lirë pengun, pasi ka marrë dëshminë e tij mbi ngjarjen, rrethanat dhe arsyen e kësaj pengmarrjeje.   

Email This Klikime: 9

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›