Reforma zgjedhore, nesër çështjet e “nxehta”

Nesër finalizohet puna për reformën elektorale. Pas rreth një orë diskutimesh mbrëmjen e sotme, Komisioni për Reformën Zgjedhore në limit të afatit, ka transferuar për ditën e nesërme diskutimet lidhur me çështjet më thelbësore që kanë të bëjmë me administratën zgjedhore me ankimin dhe të drejtën e palëve.
Ndërkaq pas mbledhjes përfaqësuesi i PS-së, Bledar Çuçi u shpreh se nesër do të diskutohet gjithashtu edhe pika për të cilën palët kanë rënë njëherë dakord, përdorimi i teknologjisë në procesin zgjedhor, duke shtuar se mund të gjendet një zgjidhje duke patur parasysh edhe opinionin e dhënë së fundi nga OSBE/ODIHR.
“Kemi konsensus për teknologjinë, madje palët kanë miratuar në komision përdorimin e paisjeve në qendrat e votimit dhe numërimin elektronik. Ne do i shikojmë edhe njëherë në frymën e dhënë edhe nga OSBE/ODIHR.”- tha Çuçi
Më tej, ai shtoi se Komisioni sot miratoi disa nga kapituj që i kemi kaluar edhe më përpara, në frymën edhe të disa komenteve të bërë nga OSBE/ODIHR si dhe pika që parashtron kuotat gjinore.
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, gjatë prezencës së tij në Tiranë lëshoi alarmin se Komisioni për Reformën duhet të mbyllë punën përpara zgjedhjes së Presidentit.
Po kështu edhe gjatë seancës së sotme në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, disa komisionerë kërkuan nga delegacioni shqiptar më shumë informacion lidhur me ecurinë e reformës zgjedhore dhe materializim të reformave.