Fiksioni historik i helenizmit të Himarës*
Ndriçim Kulla/Ndihmës i Presidentit
-Përtej pretendimeve tragjike të grekëve, Himara mbetet një krahinë e bukur e Shqipërisë së Jugut, që natyra e ka bekuar me bukurinë e rrallë që i ka dhuruar. Ajo përbëhet prej 7 fshatrash, të cilat shtrihen me radhë: Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Himara, Piluri, Qeparoi dhe Kudhësi. Tre prej këtyre fshatrave, Palasa, Dhërmiu dhe Himara krahas shqipes janë edhe greqishtfolëse, pra biling (dy gjuhësh), ndërsa Kudhësi, Qeparoi, Piluri dhe Vunoi flasin vetëm gjuhë të pastër shqipe, sidomos vunjotasit, që flasin një gjuhë të pastër shqipe e tepër elegante, me një dialekt që afrohet me atë të gegërishtes. Megjithatë edhe ata që flasin greqisht e që u thonë grekofonë janë prej race thjesht shqiptare dhe kjo vërtetohet lehtë, prej gjuhës së bastarduar të greqishtes që flasin, ku 40% të fjalëve i kanë në shqipe.
Temperamenti i tyre është qartësisht i racës shqiptare, po ashtu edhe të gjitha zakonet dhe mënyrat e jetesës janë qartësisht shqiptare. Himarjotët përbëjnë një rast të veçantë të radhitjes në radhë të fshatrave në zonën e Shqipërisë Jugore, të cilat sot janë të gjitha kristiano-ortodokse. Njerëzit e këtyre anëve dallohen për burrërinë, besën, bujarinë ndjenjën liridashëse e kryeneçe, por e pa harruar cila është e kaluara e tyre e lavdishme, pasi kurrë nuk iu nënshtruan pushtuesit dhe, si fryt i këtyre luftërave për liri jetuan për shumë kohë në një regjim privilegjesh.
Himarjoti e do këngën si zogu qiellin. Goja e himarjotit ka kënduar dhe vazhdon të këndojë vetëm shqip. Them vetëm shqip pse kam parasysh polifoninë e artë himarjote, për të cilën nuk e teproj të them se nuk ka shoqe në botë. Imagjinoni perla të tilla të muzikës popullore, të kënduara fillimisht disa dekada më parë, nga Neço Muka himarjoti e më vonë të përsëritura me po atë hir nga grupi magjiplotë i Dhimitër Varfit si: “Hyri prilli shkriu bora”, “Himara në breg të detit”, “Moj Katina nina-nina”, “Vajzë e valëve”, etj, të këndohen greqisht! Edhe një shekull sikur të përpunoheshin në greqisht, nuk shtoj asgjë po të them se në atë gjuhë asgjë s’do të dalë. Vetëm karikatura të këngës mund të dalin. Polifonia himarjote e gjen papërsëritshmërinë e saj vetëm në gjuhën e bukur shqipe. Ata mund të flasin greqisht sa të duan, edhe mund të këndojnë, madje edhe mund të hedhin edhe valle, por nuk mund të arrijnë dot mrekullinë që këngët arrijnë me gjuhën shqipe. Dhe kjo ndodh pse konstruksioni shpirtëror i këtyre njerëzve është krijuar për bukurinë e gjuhës së nënës. Tërë vetëdija e brendshme e shpirtit të himarjotëve ndrit nga shqiptarizmi. Atë nuk e kanë deformuar dot, as misionet e panumërta të Kishës Ortodokse Greke dhe as lajkat e lulkat e propagandës greke.
Me të mirat dhe të këqijat e tyre, himarjotët, në çdo ambient që shkojnë prezantohen me natyrën dhe karakterin e shqiptarit. Ndjenja e individualitetit, kokëfortësia, ndjenja princërore që rrezaton tek jeta e tyre e përditshme, të mira apo të këqija qofshin këto, janë veti të brendshme të tërë shqiptarëve, të dëshmuara dhe të arsyetuara plotësisht nga historianë, nga individë dhe vëzhgues të ndryshëm e të shumtë vendas dhe të huaj, pavarësisht se një pjesë e të cilave na i kanë lënë si dhuratë pushtimet e huaja dhe rrethanat e ndryshme social-historike të evoluimit të historisë sonë.
*Titulli është redaksional