E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqizimi, një përpjekje historike e përgjakshme

Dr. Apostol Kotani/historian, publicist  

-Historia e Shqipërisë që nga shekulli i 19-të është e mbushur plot fakte të përpjekjeve të shovinistëve grekë të “Megali Idesë” për të depërtuar në trojet shqiptare, me anë të gjuhës, shkollës dhe kishës greke. Më të shfrenuar në këto synime ata janë treguar pas luftës ruso-turke të vitit 1877, duke patur edhe mbështetjen e Rusisë. Më 1878 me forca të shumta sulmuan kalanë e Lëkurësit, por vendasit e mbrojtën atë. Në ndihmë të tyre shkuan edhe himariotët. Lind pyetja: si është e mundur që himarjotët, që Greqia i konsideron popullsi greke, të shkojnë e të luftojnë kundër “vëllezërve” të tyre? Kështjella u mbrojt dhe ushtritë greke u tërhoqën. Me fitoren e Revolucionit Grek të 1821 dhe me disfatën e Perandorisë Osmane në luftën ruso-turke të 1829, ajo hyn në rrugën e shthurjes. Në këto kushte, Porta kishte nevojë për mbështetjen e Greqisë për të vazhduar sundimin mbi Shqipërinë. Për t`i dhënë këtë mbështetje Porta plotësoi kërkesën e Greqisë dhe e lejoi atë të hapte shkolla dhe kisha greke, të përhapte gjuhën dhe letërsinë greke në krahinat e Jugut. Propagandohej me të madhe se “Gjuha greke është gjuhë e Zotit, kurse gjuha shqipe është gjuhë e të paudhit”. Në fushatën e greqizimit nuk munguan edhe grekomanët e vendit, armiqtë e kombit shqiptar, siç ishte edhe dhespoti i Korçës, Foti, i cili kishte dhënë urdhër të ndalohej lëçitja e ungjillit në gjuhën shqipe...Më vonë, në dhjetëvjetorin e parë të shekullit të XX-të, kur Fuqitë e Mëdha të Evropës do të vendosnin mbi kufijtë e Shqipërisë, qarqet shoviniste greke, dërguan në këto krahina mësues e ushtarakë të veshur civilë, për të përhapur në nxënësit e shkollave, por edhe në të rriturit gjuhën greke, për ta përdorur më pas si provë ndaj Komisionit Ndërkombëtar se popullsia e tyre ishte greke. Gjatë vitit 1913 grekët u sulën kundër teqeve dhe klerikëve të tyre, ndërtesat i shkatërruan kurse klerikët i masakruan si Baba Aliun e Gjirokastrës, Dervish Sulejmanin dhe Dervish Lamçen në Golem, Baba Afis Ahmetin dhe dervish Shefkiun e Kuçit etj. Nuk kursyen as priftërinjtë. Kështu në Korçë më 14 shkurt 1914 dogjën të gjallë Papa Spiron, më 2 prill vranë Vasil Anastas Trebickën, dogjën të gjallë Gjikë Spiron.(Kalendari Kombjar,viti 1915 fq.85). Këto do të pasoheshin pastaj edhe me ndërhyrjen ushtarake dhe me organizimin e të ashtuquajturës “Kryengritje Vorio- Epirote” në vitet 1913-1914, gjatë së cilës u përshkuan gjithë fshatrat e Jugut me masakra, me vrasje të burrave, grave, pleqve dhe fëmijëve, me plaçkitjen dhe djegien e rreth 300 fshatrave. Ushtritë greke qysh në tetor 1912 pushtuan Himarën dhe i prenë qeverise së Vlorës Kabllon ndërlidhëse për ta izoluar me botën e jashtme. Edhe sot e këtë ditë janë përpjekur të hapin shkolla greke edhe aty ku nuk ka banorë të kombësisë greke, të ndërtojnë kisha edhe aty ku nuk ka popullsi ortodokse, si në Riban të Këlcyrës, apo në Menkulas të Korçës, të përhapin materiale propagandistike, të predikojnë gjuhën greke nëpër kisha, pa përmendur këtu provokacionet e hapëta si në rastin e Himarës në fushatën zgjedhore. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›