E Diel, 1 Nëntor 2026

Filbi, vrasësi i desantëve shqiptarë dhe vdekja e tij si i mallkuar

Shqiptarët ia kanë dëgjuar emrin këtij aventurieri komunist, më shumë se mjaft komunistëve të tjerë angloamerikanë që u kanë sjellë dëme të pallogaritshme vendeve të tyre. Megjithatë po i japim një biografi pak a shumë më të hollësishme lexuesit tonë për të nxjerrë dy përfundime: Së pari, se komunistët nuk nuk kanë atdhe (siç është shkruar në “Manifestin Komunist”). Së dyti: se atyre nuk u duhet besuar kur bëjnë sikur janë njerëz të detyrës në funksione të larta shtetërore. Kjo e dyta ka një aktualitet të fortë në ditët e sotme, kur majtizmi ynë ndërroi emrin dhe lëkurën, por nuk i braktisi në fatin e vet kontingjentet e krimit të PPSH-së, të cilat i ruajti brenda PS-së. Dhe tani po i mbron, duke i bërë edhe karshillëk demokracisë, që t’i ketë si urdhërues, nën komandën majtiste. Majtizmi ynë, i ndryshëm nga çdo formacion në vendet euroatlantike, e quan si bjerrje të forcës e të dhunës së vet, lëshimin e posteve të rëndësishme nga ana e elementëve të komprometuar në kohën e diktaturës. Proceset demokratike kanë qenë një gur prove dhe një vijë demarkacioni për të dalluar ithtarët e demokracisë nga nostalgjikët që e qanë shpërbërjen e diktaturës. Nuk mund të dalin ata që u rreshtuan me forcat regresiste të R. Alisë, ata që ishin veprimtarë me propagandë, me shkrime në gazetë dhe me impenjim në ruajtjen e statujave të E. Hoxhës, e të na vetëprezantohen si të devotshëm për një demokraci të vërtetë.
*
Harold Adrian Rassell Filbi (i quajtur Kim) (1912-1988). Agjent sekret britanik dhe, që prej vitit 1963, sovjetik. Gjithmonë komunist, ai punoi për KGB-në, kur ishte në aparatet ushtarake, në trupin diplomatik dhe në shërbimet e fshehta të Anglisë. Është e gabuar bindja e disave që Kim Filbi kishte qenë një agjent britanik i cili, në njëfarë kohe dezertoi: në të vërtetë kishte qenë një kounist i vendosur, kurdoherë në shërbim të BRSS-së. Nga 1936-a gjer në vitin 1963, ishte një agjent me lojë të dyfishtë që punoi për B.Sovjetik, duke përfituar nga shumë  poste që kishte pasur në administratën  e vendit të tij. Që nga viti 1963, - viti kur u zbulua tradhtia e tij, - ai dezertoi dhe ia mbathi për në Moskë, ku qëndroi gjer në ditën e vdekjes, në vitin 1988.  Në Moskë punoi për KGB-në, si instruktor. Filbi nuk qe anglezi i vetëm që punoi për B.S. në ato vite: Ai ishte njëri prej të Pesë Yjeve, të quajtur Cambridge Five: Donald MacLean, Guy Burgess, Anthony Blunt, John Caircross dhe vetë Filbi. Këta ishin të rinj familjesh të pasura dhe të rëndësishme nga ana e pozitës shoqërore të cilët, që në kohën e studimeve, kishin përqafuar kauzën e komunizmit. Tashmë, nga pozicione të larta në shërbimet e fshehta të vendit të tyre, u dëshmuan se qenë, njëherësh, agjentë të shërbimeve sekrete të BS-së gjer në dezertimin e hapur, duke u arratisur në Moskë. Duhet thënë se ndër të pestët, ishte Filbi ai që i krijoi dëmet më të mëdha Anglisë dhe Aleancës Atlantike. Sepse Filbi i kishte dërguar B.Sovjetik, përgjatë 27 viteve dhe duke qenë në një gjendje operative  të nivelit të lartë në Angli,  informata shumë të rëndësishme, që i shkaktuan bllokut perëndimor humbje mjetesh të mëdha dhe zbulimin e agjenteve që punonin për vendin e tyre.
*
Studimet dhe aktivitet e para të spiunazhit. Filbi lindi në Indi. I ati, Xhon Filbi, ishte diplomat dhe eksplorator, si edhe një studiues i kulturës orientale, i konvertuar në mysliman. Ndërmjet detyrave të tjera, ishte këshilltar i mbretit saudit, al Saud. Nofkën Kim e mori nga një roman i Rudyard Kiplingut. Studimet universitare i kreu në Angli, në histori dhe në ekonomi. Që në këtë kohë u bë admirues i komunizmit. U vu në kontakt me oficerët e Kominternit, në Vjenë.  Fillimisht punoi në Federatën Botërore për Ndihmën e Viktimave të Nazizmit, me qendër në Paris. U rekrutua drejtpërdrejt nga GPU-ja.  Dhe si oficer ndërlidhjeje pati, së pari, Arnold Dojçin; pastaj Teodor Mejin dhe Aleksandër Orlovin (qe dezertoi në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1938). Në vitin 1933, pas marrjes së fuqisë në Gjermani nga Adolf Hitleri, Filbi u dërgua në Vjenë për të ndihmuar refugjatët gjermanë që  arratiseshin prej nazizmit. Atje u takua me Liza Fridmanin, një çifute gjermane me të cilën u martua. Atë e pruri në Angli, për t’ia shpëtuar jetën. Por kjo martesë nuk zgjati shumë. Në vitin 1936, me porosi të Moskës, Filbi krijoi një përfytyrim kinse filonazist dhe filloi të rrinte me grupet politike britanike, që ishin simpatizantë të Gjermanisë hitleriane: Në faqet e gazetës Time, bënte komente të Luftës së Spanjës, me përmbajtje filofrankiste. Për llogari të sovjetikëve bëri edhe shkëmbime letrash dashurie që fshihnin ndërmjet rreshtave informata të fshehta.  Letrat i dërgoheshin një vajze që banonte në Paris, në rrugën Grënelë, të cilën nuk e njihte fare. Shumë kohë më pas, zbuloi tërë inat se këto letra i vinin  taze ambasadës sovjetike, gjë e cila mund të rrezikonte zbulimin e lojës së tij.  Në vitin 1937 Filbi pati edhe një dekorim nga Frankua: Automobili me të cilin udhëtonte me tre gazetarë të tjerë  u qëllua nga një granatë dhe vetëm ai shpëtoi, ndonëse i plagosur. Kur e mori vesh Franko, e dekoroi për “kurajën” e tij.
*
Hyrja në spiunazhin britanik.- Në vitin 1940 Guy Burgess-i, në atë kohë funksionar në sektorin D (Dezinformim) të SIS-it (Shërbimi i kundërspiunazhit të jashtëm, që pastaj u quajt M 16), e paraqiti Filbin me Mazhorí Maxse-n, funksionare në këtë shërbim, që e rekrutoi si agjent të fshehtë. Kur seksioni u prish dhe Burgess-i u largua nga shërbimi, Filbi, i bërë zanatçi në humbje gjurmësh  dhe në përhapje lajmesh për një flamur tjetër, u bë shefi i seksionit për punët hiberike (Spanjë, Portugali, Gjibraltar dhe Afrikë). Në këtë detyrë u bë usta, duke ia arritur që të neutralizonte një plan nazist sabotimi kundër anijeve britanike. Fitoi, kështu, besimin e shefit të tij, Stjuard Menzis, i cili në vitin 1944 e bëri kryetar të seksionit XI të sapokrijuar, që kishte si objekt Bashkimin Sovjetik. Si agjent sovjetik, Filbi nuk mund të kërkonte më mirë se kaq. Gjithçka shkoi për bukuri, gjer në gushtin e vitit 1945, kur Kostandin Volkovi, oficer i NKVD-së, vendosi që të dezertonte për në Angli, me premtimin se do të nxirrte emrat e agjentëve sovjetikë që punonin si në shërbimin sekret, ashtu edhe në ministrinë e Jashtme britanike:  për arsye të punës që ushtronte , lajmi i erdhi në vesh edhe Filbit i cili, me anë të një dredhie, arriti që ta paralizojë Volkovin, i cili nuk mundi të bëhet i dëmshëm për të, sepse u bllokua më Moskë
Paslufta - Në vitin 1946 Filbi u ngrit edhe më tepër në përgjegjësi. Në këtë vit u caktua në ambasadën britanike në Uashington, si oficer i ndërlidhjes me CIA-n e sapo krijuar. Filbi u dërgua në Amerikë sepse sitemi i dekodifikimeve anglo-amerikane Venona kishte zbuluar një rrjedhje lajmesh për instalimet bërthamore dhe Filbi u ngarkua me detyrë për bashkëpunim për identifikimin e tradhtarit. (Shënim: ngarkohet tradhtari të zbulojë tradhtarët! - K.X.). Në të vërtetë ai e lajmëroi tradhtarin Maclean që t’ia mbathte se ishte në prag të zbulimit! Dhe Maklini u bë erë dhe flututoi drejt e në ...Moskë! Por ja që i erdhi radha edhe vetë Filbit: Shoku i tij i Kembrixhit, komunisti i degjeneruar Burgesi, i alkoolizuar dhe homoseksual, edhe ai i ngarkuar në organet e zbulimit britanik, i çoi një lajm Filbit se, pas tradhtisë së Maklinit, kishin rënë në gjurmët e një dokumenti që bënte fjalë për një “Njeri të tretë” në radhët e spiunëve që bënin lojë të dyfishtë, duke qenë të lidhur me KGB-në. E ky Njeri i tretë ishte pikërisht Filbi! Tani jemi pak a shumë në gjysmën e aktivitetit në favor të spiunazhit sovjetik nga ana e Kim Filbit. Dëmet që i ka sjellë ky njeri vendit të vet kanë lidhje edhe me një veprimtari në Kanalin e Suezit. E dëmshme për interesat e vendit të tij është edhe bashkëveprimtaria me Rotçildin miliarder dhe me të shoqen e tij komuniste (!) , bashkëveprimtaria me Xhorxh Blejkun, si edhe mjaft shërbime të tjera në dobi të B.S. Për fat të keq të shqiptarëve që ua bëri pré grykave të kallashnikovëve të komunistëve tanë, i shpëtoi një kurthi dhe një dënimi të meritueshëm dhe, i fshehur si mish i therur në anijen-frigorifer “Dolmatova”, përfundoi nga Libani në Moskë, më 23 janar të vitit 1963. Në Moskë ai mori vesh me njëfarë zhgënjimi se nuk do të ishte kolonel i KGB-së, siç mendonte, por një agjent i thjeshtë me emrin në kod Tom. Për dhjetë vjet rresht u mbajt jashtë instancave të larta të spiunazhit sovjetik. Në atë kohë ia mori të shoqen amerikane  shokut të vet të tradhtisë, Maklinit, Melindën, me të cilën u nda më pas. Me ndërhyrjen e Oleg Kaluginit sikur mori një vend më për të qenë, por kishte marrë fund si njeri. Vetë Olegu e kishte quajtur ”një relikt të qenies njerëzore” dhe ishte shprehur: “... Ajo siluhetë e kërrusur ecte duke u mbajtur mureve. Qelbej era vodkë, ecte duke murmuritur diçka të pakuptueshme në një rusishte për ibret”. Iu dha alkoolit për poshtërimin që ndjeu kur kuptoi se nuk iu njoh sa duhet kontributi që kishte dhënë për kauzën sovjetike (duke dëmtuar atdheun e vet, - K.X.). Vdiq në vitin 1988 nga një infarkt.
*
Ajo që dinë mirë shqiptarët është se Kim Filbi lajmëronte shërbimet sovjetike për zbarkimet nga ajri që do të bënin desantët shqiptarë. Menjehërë KGB-ja i njoftonte Sigurimit  koordinatat e sakta të vendit ku do të hidheshin diversantët, si edhe orën e përpiktë të hedhjes së desantëve shqiptarë, që do të luftonin kundër regjimit komunist. Doemos që një luftë e tillë e pabarabartë do të shkaktonte eliminimin e kundërshtarëve të regjimit komunist të Tiranës. Por propaganda komuniste nuk pushoi së ngrituri në një lavdi marramendëse këtë fitore të Partisë, me shokun Enver në krye.
Sot majtistët ekstremë, ndonëse të shtirë si demokratë, nuk e maskojnë dot urrejtjen e tyre ndaj fjalës “diversant”, sikur këta nuk donin ta afronin ditën e demokracisë, të cilën majtistët mëtojnë se e përfaqësojnë!
Disa prej tyre veçse nuk kanë gjë në dorë. Se do të ishin bash si Kim Filbi!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›