E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha dhe bashkëshortja, znj. Liri Berisha festojnë me fëmijët në nevojë të qytetit të Elbasanit

Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja znj. Liri Berisha ishin sot midis fëmijëve të Qendrës së fëmijëve “Shtëpia e shpresës" dhe të Shtëpisë Bamirëse "Nënë Tereza" në qytetin e Elbasanit, për të festuar së bashku me ta Vitin e Ri. "Festat pa ju mbeten të heshtura", iu drejtua fëmijëve Kryeministri Berisha. 
Fëmijët mirëpritën Kryeministrin me bashkëshorten me një koncert me këngë dhe recitime.
Një vajzë 7- të vjeçare, e cila qëndron në Qendrën “Shtëpia e Shpresës” ju drejtua Kryeministrit me fjalët: "Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë dy festa, të cilat ne fëmijët i presim me padurim, sepse kjo është një kohë që ne festojmë me gëzim dhe lumturi dhe kur presim edhe dhurata".
Më pas, në një atmosferë të gëzuar, Kryeministri Berisha dhe znj. Liri Berisha, e cila është edhe Presidente e Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, shpërndanë dhurata për fëmijët.
Në Shtëpinë Bamirëse "Nënë Tereza", Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë për kujdesin e veçantë që motrat e Nënë Terezës tregojnë për fëmijët e braktisur.     
“Ju shprehim nderimin më të madh për punën e jashtëzakonshme që ju bëni për kujdesin ndaj këtyre fëmijëve, për rritjen e atyre, të cilët janë në nevojë të madhe, por që  me kujdesin dhe dashurinë tuaj ju u zëvendësoni familjen, shoqërinë dhe kryeni një mision shumë fisnik. Keni mirënjohjen e të gjithë shqiptareve, mirënjohjen e Zotit, që kujdeseni me kaq dashuri për fëmijët.”
Qendra "Shtëpia e Shpresës" është hapur në qytetin e Elbasanit në vitin 1993. Tek "Shtëpia e shpresës" janë të akomoduar 14 fëmijë jetimë, ndërsa trajtohen me shërbim ditor 25 fëmijë. Qendra i ka ofruar mbështetje në edukim dhjetë fëmijëve romë të cilët frekuentojnë çdo ditë qendrën ditore.
Shtëpisë Bamirëse "Nënë Tereza” ofron kujdes dhe mbështetje për 28 fëmijë në nevojë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›