File: Play-off-i, objektivi minimal i Elbasanit
Trajneri i verdhebluve, Ilirian File, beson shumë se në fund të kampionatit skuadra do të jetë në 5 vendet e para
Tek Elbasani nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Gjërat në skuadrën verdheblu po shkojnë mirë dhe stafi teknik është mjaft i kënaqur nga gjendja e lojtarëve, ndërkohë që pritet edhe ardhja e një sulmuesi për kompletimin e grupit. Trajneri Ilirjan File, në një prononcim për Sportin shqiptar, thekson se Elbasani është në rrugën e duhur dhe në startin e fazës së dytë do të jetë plotësisht gati.
Numri 1 i stolit elbasanas thotë se grupi është përmirësuar dhe rezultatet në vazhdim nuk do të jenë si ato të fazës së parë. Elbasani do të arrijë patjetër të sigurojë një vend, që do ti mundësojë ndeshjen shtesë për të siguruar kthimin në superiore. Grupi aktual po stërvitet me seriozitet dhe ka arritur një formë sportive mjaft të mirë.
Mendoj se do të jetë një Elbasan ndryshe nga ai i fazës së parë, që do ti rikuperojë gradualisht pikët e lëna jashtë fushe gjatë fazës së parë. Me plot bindje them se Elbasani do të tregojë fytyrën e vërtetë në 15 ndeshjet e mbetura, që do të jenë vendimtare për fatin e sezonit. Kam shumë besim se minimalisht do të jemi në play-off, ku do të kemi shanset tona për në superiore, thekson trajneri Ilirian File.
Merkatoja Më tej, numri 1i stolit verdheblu flet edhe për merkaton, duke sqaruar çështjen e sulmit dhe të Bylykbashit. Për momentin, vetmja gjë që më shqetëson është afrimi i një sulmuesi të mirëfilltë në skuadër. Pas largimit të Galicës, ky vend ka mbetur bosh dhe jemi duke kërkuar një sulmues me peshë. Jemi në bisedime me një sulmues të njohur në kampionatin shqiptar, por që nuk mund ta them emrin.
Di të them që shumë shpejt ai do të bashkohet me skuadrën tonë për të qenë pjesë e saj në fazën e dytë. Gjithashtu, po mundohemi të mbajmë edhe mesfushorin Dorian Bylykbashi në skuadër. Vlerat e tij njihen nga të gjithë dhe kuptohet që do të na ndihmonte shumë për ta realizuar objektivin, – ka përfunduar trajneri i Elbasanit, File.
