E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filip Gordon viziton sot Kosovën

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip Gordon, viziton sot Kosovën. Gjatë vizitës në Prishtinë, Gordon do të takohet me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin, Hashim Thaçi.
Vizita e zyrtarit amerikan realizohet në kuadër të një turneu diplomatik që ai po i bën rajonit.
Pritet që në Prishtinë, zyrtari i lartë i departamentit amerikan të shtetit, Filip Gordon, dhe kryeministri Hashim Thaçi, të nënshkruajnë një Memorandum Mirëkuptimi, me të cilin thuhet se do të formulohet angazhimi i qeverisë së SHBA-ve për të ndihmuar institucionet e Kosovës.
Ky memorandum, sipas njoftimit nga Ambasada Amerikane, ndihmon edhe në realizimin e reformave, përfshirë decentralizimin dhe përfshirjen e komuniteteve në menaxhimin lokal të shkollave fillore, përmirësimin e mësimdhënies përmes vlerësimeve dhe përmirësimin e mundësive për aftësim profesional për mësimdhënësit përmes qendrave trajnuese dhe programeve.
Më herët, Gordon ka vizituar Sarajevën dhe më pas Beogradin ndërsa pas Prishtinës ai pritet që të vizitojë edhe Zagrebin.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›