Filip Riker vijon vizitën e tij në Maqedoni

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker vijon sot ditën e dytë të vizitës në Shkup ndërsa ditën e djeshme është takuar me krerët shtetërorë dhe me drejtues politik të vendit.
Me autoritetet maqedonase ai ka disktutuar për çështjen e emrit të Maqedonisë, për rëndësinë e lirisë së medias, për pavarësinë e gjyqësorit dhe tema të tjera. Në takime janë konfirmuar marrëdhëniet e mira, partneriteti dhe gatishmëria për shtimin e bashkëpunimit në më shumë fusha midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë.
Autoritetet maqedonase janë shprehur me shqetësim në lidhje me procesin e bisedimeve rreth emrit të Maqedonisë, që para dy ditësh u mbajtën në Nju Jork me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara. Shkupi zyrtar shikon mungesë vullneti tek Athina për t`u angazhuar me seriozitet për zgjidhjen e çështjes.
Zyrtari amerikan theksoi se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë duhet t`u japë energji për të shkuar përpara, në mënyrë që Maqedonia të marrë ftesë për antarësim në Nato. Ai shtoi se vendet dhe popujt e rajonit sot kanë fatin e tyre në duart e tyre për të vendosur për të ardhmen.
Zoti Riker ka rikonfirmuar qëndrimin amerikan në mbështetje të integriminit euro-atlantik të Maqedonisë.