Filloi ndërtimi i kontejnerëve nëntokësorë
.jpg)
Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, të enjten ka përuruar fillimin e punimeve për ndërtimin e kontejnerëve nëntokësorë, projekt ky i pari i këtij lloji në Kosovë.
Kryetari Mustafa këtë projekt e ka vlerësuar si një prej projekteve shumë të rëndësishme për kryeqytetin.
“Unë mund të them se sot po e fillojmë një prej projekteve shumë të rëndësishme për Prishtinën. Është projekti për ndërtimin e kontejnerëve nëntokësorë, sepse, e kemi në plan që t'i heqim nga qyteti gjithë kontejnerët mbi tokësorë në mënyrë që ti menaxhojmë shumë më mirë dhe më pastër mbeturinat”, ka thënë kryetari Mustafa.
Kontejnerët nëntokësorë fillimisht do të vendosen në 12 pika në 10 rrugë të kryeqytetit siç janë: “Luan Haradinaj”, “UÇK”, “Agim Ramadani”, “Garibaldi” Rexhep Luci”, “Fehmi Agani”, në lagjen Dardania dhe në lagjen “Dodona”.
Hedhja e mbeturinave në kontejnerët nëntokësorë, do të rris jo vetëm higjienën dhe pastërtinë në rrugët e kryeqytetit, por do të ndikojë edhe në mbrojtjen e ambientit në përgjithësi, duke aplikuar kështu standarde evropiane.
Zbrazja e këtyre kontejnerëve do të bëhet nëpërmjet sistemit hidraulik, me kamionë të posaçëm. Vlera e projektit për ndërtimin e këtyre pikave është 235 mijë euro. Ky projekt do të zhvillohet edhe në të gjitha pjesët e kryeqytetit. Ndërkaq, në të ardhmen komuna është angazhuar që të bëjë edhe ndarjen e mbeturinave, për të cilën gjë janë qytetarët që duhet të ndihmojnë në këtë proces, duke ndarë mbeturinat e tyre para si t’i hedhin ato në kontejnerët e posaçëm. /Indeksonline/