E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filloi punimet Forumi i Davosit

Nga Express më 26 janar 2011 në ora 12:50

Në Davos të Zvicrës, ka filluar punimet Forumi i përvitshëm Ekonomik Botëror, në një klimë të pasigurt ekonomike, shqetësimeve për ndikimin në rritje të Kinës në politikë dhe biznes dhe ankthit evropian për krizën evropiane të borxheve.

Takimi është i pari pas krizës, thotë themeluesi i këtij forumi dhe kreu ekzekutiv Klaus Shwab.

“Kemi shmangur pjesën më të rëndë të krizës, por nuk kemi filluar ende të ndërtojmë të ardhmen tonë. Davosi është forumi i duhur për t’i hedhur një vështrim realitetit të ri dhe se si mund të ndërtojmë të ardhmen tonë”, thotë ai.

Pavarësisht nga pasiguritë për ekonominë, organizatorët e takimit vjetor pesëditor, ku do të marrin pjesë 2500 udhëheqës politikë dhe të biznesit, nga 26 deri në 30 janar, janë optimistë se debatet, diskutimet dhe shkëmbimet e ideve mund të ofrojnë një kuadër pas tre vjetësh trazirash globale financiare dhe ekonomike.

Në listën e udhëheqësve që marrin pjesë në takim janë Presidenti i Meksikës, Felipe Calderon, kryeministri britanik David Cameron, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez, Nikola Sarkozy, të gjithë pjesë e grupit të 20 vendeve më të zhvilluara.

Presidenti rus Dmitri Medvedev ka shtyrë nisjen për në Zvicër pas sulmit në aeroportin e Moskës që shkaktoi vdekjen e të paktën 35 personave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›