Filloi rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Egjipt

Në garë janë dy kandidatë, Mohamed Mursi nga koalicioni Liri dhe Drejtësi, i udhëhequr nga Vëllazëria Myslimane dhe Ahmed Shafiq, kryeministri i fundit i regjimit të ish-presidentit Hosni Mubarak.
Situata në vendin e madh të Lindjes së Mesme nuk është aspak premtuese për një normalizim të shpejtë. Disa parti dhe aktivistë të të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për bojkot të procesit zgjedhor, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të lejuar Shafiq, ish-figura e lartë e regjimit Mubarak, për të kandiduar për president.
Në Kajro kanë rinisur tubimet masive pas vendimit të Gjykatës, që përveç lejimit të Shafiq për të kandiduar, shpërndau edhe parlamentin e dalë nga zgjedhjet e fundit.
Vendimi i gjykatës konsideronte ligjin elektoral, me të cilin u mbajtën zgjedhjet e para të lira legjislative, si anti-kushtetues.
Vëllazëria Myslimane, partia që mori numrin më të madh të mandateve kundërshton vendimin dhe ka paralajmëruar protesta masive.