Obama zbut rregullat për imigrantët

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se nuk ka kuptim të dëbohen njerëz të rinj të talentuar, thjesht për shkak të veprimeve të prindërve të tyre ose për shkak të mosveprimit të politikanëve.
Obama i bëri komentet disa orë pasi Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Janet Napolitano, njoftoi ndryshimet në politikën e imigracionit. Sekretarja Napolitano tha se imigrantët në moshë të re, të cilët nuk paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare ose sigurinë publike dhe përmbushin disa kritere, nuk do të deportohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të kenë të drejtë të bëjnë kërkesë për leje pune.
Imigrantët të cilët kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara para moshës 16 vjeçare dhe kanë jetuar vazhdimisht në vend për të paktën pesë vjet, sipas këtij propozimi mund të mos deportohen. Ata nuk mund të kenë një histori kriminale, nuk duhet të jenë mbi moshën 30 vjeç dhe duhet të jenë aktualisht në shkollë, ose të kenë diplomë të shkollës së mesme, apo të kenë shërbyer në ushtrinë amerikane.
Nga këto ndryshime pritet të përfitojnë rreth 800 mijë imigrantë të paligjshëm.