Fillojnë provokimet
El Clasico mes Real Madridit dhe Barcelonës zhvillohet fundjavën e ardhshme, mirëpo tanimë kanë filluar të bëhen ngacmimet e para.
Portieri i gjigantit katalan, Victor Valdes ka filluar të provokojë Real Madridin para përballjes së tyre në La Liga, që mund të jetë takimi i parë prej gjithsejtë katër që mund të ndodhin gjatë këtij muaji. Barcelona ka tetë pikë epërsi ndaj Real Madridit në Primera Division, por gjiganti katalan udhëton në Santiago Bernabeu javën e ardhshme për ndeshjen vendimtare të ligës, para përballjes së tyre në finale të Copa del Rey më 20 prill.
Dhe, me krijimin e epërsive të mëdha nga ndeshjet e tyre të para në çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Shakhtar Donetskut (5-1) dhe Tottenhamit (4-0), Barcelona dhe Real Madridi mund të zhvillojnë edhe dy takime tjera mes vete në gjysmëfinale të garës elite të klubeve evropiane.
Të gjitha këto ndeshje mund të vijnë brenda vetëm 18 ditëve dhe do të jenë vendimtare në ambiciet për titull të të dyja skuadrave, por Valdes i ka përkujtuar rivalit të tyre se Barcelona ka dominuar në përballjet e fundit në El Clasico.
“A ishin fitoret e fundit të Real Madridit (në Clasico) në bardh e zi apo me ngjyra?” tha portieri në shaka për Antena 3.
Valdes, i cili mungoi në ndeshjen e së shtunës në shtëpi kundër Almerias në ligë, për shkak të suspendimit, mezi pret përballjet me skuadrën e Jose Mourinhos. “Sa më tepër ndeshje Barcelona – Real Madrid, aq më mirë.
Kjo do ta bëjë më të gjallë dhe do të jetë mirë për futbollin”, theksoi ai. Ndërsa mbrojtësi i majtë, Maxwell është i vetëdijshëm se ndeshjet kundër Real Madridit do të përfaqësojnë testin më të madh të sezonit për ekipin e tij.
“Është sfidë jashtëzakonisht e madhe të luftojmë për gjithçka me Real Madridin”, tha ai. Megjithatë, braziliani ka paralajmëruar ekipin e tij që mos të pengohet nga takimet e ardhshme me Realin dhe të mendojë për ndeshjen e kthimit kundër Shakhtarit, edhe pse ka epërsi të thellë 5-1. “Është gjë e rrezikshme nëse tani fillojmë të mendojnë për Real Madridin. Duhet të respektojmë Shakhtarin, e pastaj do të shohim”, deklaroi ai.
Në ndeshjen e parë mes Barcelonës dhe Real Madridit në Nou Camp, skuadra e Pep Guardiolas turpëroi rivalin duke e mposhtur me rezultat të thellë 5-0. Njëkohësisht, kjo ishte disfata më e thellë në karrierën e trajnerit të Realit, Jose Mourinho.