Rooney duhet të largohet
Legjenda e Manchester Unitedit, Peter Schmeichel mendon se Wayne Rooney duhet të largohet nga Old Trafford. Sulmuesi anglez ka dominuar ballinat e gazetave për arsye të këqija në javët e kaluara, pas fyerjeve të drejtuara në kamerë në fitoren në West Ham.
Ai u dënua nga Federata e Futbollit e Anglisë për dy ndeshje. Si rezultat i këtij suspendimi, Rooney mungoi në ndeshjen kundër Fulhamit në Premierligë si dhe nuk do të ketë të drejtë paraqitjeje në gjysmëfinale të FA Cup përballë rivalit lokal Manchester City.
Së fundi kanë qarkulluar spekulime të shumta edhe rreth largimit të Rooneyt nga klubi, ndërsa Schmeichel ka ardhur në përfundim se ndërrimi i skenarit mund t’i ndihmojë futbollistit. “Mendoj se do të ishte mirë për të që të largohet”, tha Schmeichel për Ekstra Bladet.
“Do të ishte mirë për të të luante në një klub tjetër. Real Madrid dhe Mourinho është dikush që mund të merret me të dhe të nxjerrë më të mirën prej tij. Është e dhimbshme kur e them këtë, se futbollisti më i mirë në Manchester United do të ishte më mirë të provonte diçka të re. Klubi me gjasë nuk do ta shesë te ndonjë rival anglez, por ndërrimi i vendit do t’i ndihmonte”, përfundoi ai.