Fillojnë shkollën e policisë 100 aplikantët fitues
Pas më shumë se një viti, 100 aplikantëve që kishin fituar konkursin u është dhënë e drejta të fillojnë shkollën e policisë. Policia e Shtetit tha zyrtarisht se më datë 5 korrik fillon Shkolla Bazë e Policisë për Patrullë të Përgjithshme për 100 kursantë, të cilët do të përzgjidhen nga lista e konkurrentëve të shpallur fitues më datë 27 maj 2009. Për përzgjedhjen e 100 kursantëve, që do të ndjekin këtë kurs, sipas procedurave të përcaktuara do të kryhet procesi i kontrollit mjekësor të kandidatëve pranë Qendrës së Profilaksisë së Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në Qendrën e Formimit Policor Tiranë. Ndërkohë, pas kontrollit mjekësor kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të marrjes së gjurmëve të gishtave, si dhe procesit të verifikimit të të dhënave të kandidatit. Në datë 14 qershor, në orën 08.00, në Qendrën e Formimit Policor Tiranë do të kryhet kontrolli mjekësor dhe marrja e gjurmëve të gishtave. Kontrollit mjekësor do t’u nënshtrohen 100 kandidatët që kanë grumbulluar më shumë pikë gjatë procedurave të konkurrimit sipas listës së shpallur më datë 27 maj 2009. 100 kandidatët duhet të paraqiten në Qendrën e Formimit Policor Tiranë në datën dhe orën e mësipërme të pajisur me fletën e pranimit në testin me shkrim, si dhe një foto për dokumente. Ky është grupi i dytë i konkurrentëve të shpallur fitues më datë 27 maj 2009, që po ndjek Shkollën Bazë të Policisë. Grupi i parë prej 50 konkurrentësh ka përfunduar procesin teorik të Shkollës Bazë të Policisë dhe tashmë po vazhdon procesin e trajnimit në terren.
#