Korrupsioni, arrestohen dy sekserë, në hetim zyrtari i Hipotekës
Dy persona janë vënë në pranga ndërsa një tjetër hetohet në liri pasi dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ora shënonte rreth 12.00 kur policia ka arrestuar Shkëlqim Levanaj, 46 vjeç, i papunë, nga Tirana dhe Orjon Kortezin, 30 vjeç nga Cërriku, pasi i morën një shtetasi 50 mijë lekë për të nxjerrë një vërtetim pronësie.
Burime policore thanë se pak ditë më parë një qytetar kishte denoncuar faktin e vonesës prej tre muajsh të një vërtetimi hipotekor. Denoncuesi kishte deklaruar se atij i ishin afruar dy persona për ta ndihmuar kundrejt shumës 50 mijë lekë. Pas këtij informacioni ka hyrë në lojë Seksioni i Antikrimit Ekonomik, i cikli e ka referuar rastin në prokurorinë e Tiranës. Task-Forcë iu ka dhënë akordin uniformave blu për të vepruar me metodat speciale të hetimit. Ata kanë përgatitur operacionin “Sporteli i Hapur”, të cilin e kanë përfunduar me sukses duke arrestuar në flagrancë sekserët. Kanë qenë agjentët antikrim që e kanë mësuar se si të sillet nevojtarin duke i sugjeruar atij vendin për të bërë shkëmbimin e parave me dokumentin e marrë nga hipoteka. Me porosi të ekspertëve ai i iu ka lënë takim rreth mesditës së djeshme sekserëve në një lokal pranë Gjykatës së Faktit Tiranë. Me të ardhur sekserët kanë marrë lekët dhe i kanë dorëzuar dokumentin. Sapo është regjistruar në foto dhe kamera veprimi i të dy palëve, ka ndërhyrë policia, e cila ka shoqëruar për në ambientet e ndalimit të tre personat. Denoncuesi është lënë menjëherë i lirë, ndërsa dy sekserët janë arrestuar.
Duke iu referuar denoncimit uniformat blu kanë shoqëruar për ta marrë në pyetje edhe një nga Nëndrejtorët e Hipotekës, i cili është lënë më pas i lirë. Ai do të hetohet, jo për bashkëpunim me dy sekserët por për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka përgjegjsi në vonesën e dhënies së dokumentit pasuror të qytetarit.
#