Fillon “Bla Bla” me Fiorin politikanët të shigjetuar
ornela caci
Fioralba Dardha rinis programin e saj në tv Koha, aty ku e filloi për herë të parë. Ja cilat do të jenë suprizat e tij.
Riktheheni sërish me “Bla–Bla” kësaj here në “Tv Koha”. Sa kohë u bënë që ju nuk dilni në ekran dhe me çfarë jeni marrë gjatë kësaj periudhe?
Eshtë bërë rreth një vit e gjysmë, që unë nuk jam shfaqur në ekran e gjatë kësaj periudhe jam marrë me disa punë të tjera që s’kane lidhje me televizionin, por që kanë qenë brenda interesave të mia. Unë kam edhe dy profesione të tjera për të cilat jam diplomuar, aktore dhe violiniste.
Miqësitë apo armiqësitë e krijuara me politikanë për shkak se ju i keni “prekur” atje ku ata s’kanë dashur?
Raportet e mia me politikanët s’kanë qenë miqësore, as armiqësore. Secili bënte punën e tij. Sigurisht që ka patur qejfmbetje, që me kohë janë shndërruar në respekt të ndërsjellë. Ka dhe raste kur këto qejfmbetje janë kthyer në armiqësi të përhershme nga ata, por këto jane raste të veçanta.
Ju jeni e fejuar. Cila është jeta që bëni me të fejuarin Nardi?
Jeta normale e një çifti të rinjsh me momentet tona të bukura, me halle të përbashkëta dhe me zënka normale për njerëz të gjallë.
Për çfarë ju kritikon apo ju këshillon?
I fejuari im është regjisor dhe për këtë arsye gjithmone kam pritur prej tij kritika e këshilla për emisionet e mia. Me shumë më kritikon për tonet e ashpra që përdor dhe për të cilat ai ka të drejtë, pasi na kanë hapur jo pak herë telashe. Gjithsesi kam tentuar jo pa sukses të thyej normat dhe rregullat, të krijoj në Shqipëri gazetarinë “rozë”, megjithë koston që mbart mbi vete të bërit të gjërave ndryshe.
Ai është pro karrierës suaj televizive, apo është kundër?
Sigurisht që është pro, madje nxitës dhe mbështetës në idetë e mia për rubrika të veçanta dhe për trajtime që kanë të bëjnë me formën e emisionit.
Xhelozohet i fejuari, apo tashmë janë hapa që i keni kapërcyer?
Pas shumë vitesh bashkë, tashmë marrëdhënia jonë është e konsoliduar. Ka edhe momente xhelozie reciproke, por ajo është më shumë një loje që zbukuron marrëdhënien, sesa nje realitet shqetësues.
Ç’mendoni për të ardhmen, sa afër apo larg është plani për një fëmijë?
Kjo varet nga Nardi (i fejuari im)... I kam thënë që mua më ka gjithmonë pro një vendimi të tillë.(qesh)
Keni krijuar profilin e vajzës së shpërfillur, shpesh “kokëkrisur”. Në fakt kjo ka qenë një loje aktoriale për të qenë sa më tërheqëse në sy të publikut, apo është tipi juaj?
Unë si natyrë jam tepër ekspresive, por në emision shpeshherë më është dashur të bëj dhe lojë, jo për t’u dukur tërheqëse, por për të realizuar qëllimet e emisionit.
Nga kjo eksperiencë që keni krijuar me këtë emision, si mendoni a janë personazhet ende të kompleksuar?
Çdo njeri vihet në vështiresi kur diskutohet për të publikisht. Te ftuarit e mi, ashtu si dhe unë kemi fituar emancipim duke e krahasuar këtë me puntatat e para të emisionit. Ata kanë kuptuar që unë dua t’i ngacmoj dhe unë kam kuptuar që për të realizuar këtë tashmë është më e veshtirë.
Cili është personazhi që nuk do rreshnit së ftuari?
Ka shumë personazhe që “më vijnë pas avazit”, por personazhi fatsjellës, intervista me të cilin më dha idenë e krijimit të një formati të tillë, është Petri Bozo.