Fillon, “International Film Festival”
Nis mbrëmë edicioni i gjashtë i festivalit të përvitshëm “Tirana International Film Festival”. Filmi që hapi konkurrimin ishte “Heshtja e Lornës” (Lorna’ Silence) me skenar dhe regji të Jean Pierre e Luc Dardenne, i cili është nderuar në Festivalin e Kanës me çmimin për skenarin më të mirë. Ky është një aktivitet ndërkombëtar i zhvilluar për herë të parë në vitin 2003, në të cilin prezantohen filma, dokumentarë shqiptarë dhe të huaj.
Ndërkohë që sot janë parashikuar të konkurrojnë filmat “Toka e shqiponjave (“Land of Eagles”) me regjisor Fatmir Koçi dhe “Illiuminata” e J. Turturro. Pas shfaqjes së produksioneve të para kinematografike, nesër priten tre prodhime të tjera si “Dirty little Billy” e Stan Dragotit; “Ukrainian time machine” nga Naomi Uman dhe “Radio Egnatia” e Davide Barletti. Juria që do të vendosë për çmimet e filmave konkurrues përbëhet nga personalitet të njohur të botës së kinematografisë, medias. Naomi Uman, Silvio Maselli, Davide Barletti dhe Kristaq Skrami përbëjnë jurinë ndërkombëtare. Ky festival është mundësuar nga Qendra Shqiptare e Kinematografisë dhe do të zgjasë deri me datën shtatë dhjetor me disa nga prodhimet kinematografike më të mira vendase, nga Ballkani, Evropa dhe pjesa tjetër e botës.