E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo, gati plani anti–AIDS



Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u ndal dje tek miratimi i ligjit të ri të HIV/AIDS këtë vit nga Kuvendi i Shqipërisë si dhe në rishikimin e Strategjisë Kombëtare 2008-2014, kundër sëmundjes së shekullit.

"MSH-ja e sheh hartimin e këtij ligji dhe rishikimin e strategjisë vetëm si fillimin e një procesi që po shoqërohet me masa të tjera shumëplanëshe dhe politika të caktuara, të cilat përfshijnë angazhimin e strukturave vendimmarrëse dhe të gjithë nivelet shoqërore qeveritare dhe joqeveritare", - theksoi ministrja e Shëndetësisë.

Ajo informoi se janë ngritur dhe po fuqizohen më tej Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar Konfidencial, si porta e parë e parandalimit dhe kujdesit pothuaj në të gjitha prefekturat e vendit, duke bërë të mundur ofrimin e shërbimeve të testimit dhe këshillimit për HIV-in dhe infeksioneve të tjera, që transmetohen me rrugë seksuale. Në këtë kuadër, po fuqizohen më tej klinikat ambulatore për trajtimin, ndjekjen dhe kujdesin ndaj personave që jetojnë me HIV/AIDS pranë Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.

Sipas saj, 100% e personave që jetojnë me HIV/AIDS në nevojë për trajtim me ARV (antiretroviral) marrin mjekimin e nevojshëm. Janë 98 adultë dhe 12 fëmijë që trajtohen aktualisht me ARV, trajtim i cili jepet falas qysh prej vitit 2004 nga shteti.

"Të gjithë së bashku duhet të solidarizohemi për trajtimin dhe kujdesin e personave që jetojnë me HIV/AIDS, duke qëndruar larg stigmës dhe diskriminimit", - nënvizoi ajo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›