E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon: Sarkozi, kandidati më i mirë për President

Katërmbëdhjetë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë, kryeministri Fransua Fillon shprehet se presidenti Nikolas Sarkozi është kandidati më i mirë i të djathtës për këto zgjedhje.
"Jo vetëm që është i vetmi, por ai është kandidati më i mirë i mundshëm. Ai përfaqëson në mënyrën më të mirë të mundshme maxhorancën", deklaroi kryeministri Fillon, popullariteti i të cilit, ashtu si dhe e kryetarit të shtetit, është në pikën më të ulët që prej vitit 2007.

"Çdo kandidat tjetër do të ishte një kandidaturë përçarjeje", shtoi Fransua Fillon, i cili shprehet qartazi në favor të një kandidature të përbashkët mes të djathtës dhe qendrës franceze që në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat parashikohet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Nikolas Sarkozi, i zgjedhur në 2007 dhe i cili pritet të rinovojë mandatin, shfaqet si kandidati i natyrshëm i partisë së tij UMP, por disa shqetësime kanë filluar të ndihen në kampin e tij duke parë sondazhet e pafavorshme.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›