Fillon këtu
Ca institucione rëndojnë sa shalli rreth gushës i drejtorit. Po si pyete, heshtja e tyre të tërheq në një vdekje të gjatë e të ngadaltë, sepse pushtetarët e veckël të kulturës nuk e duan eutanazinë.
Në Teatrin Kombëtar e dinë por nuk ia thonë njeriu që Robert Ndrenika, një nga pak aktorët e mëdhenj të gjallë, sot bën shtatëdhjetë vjeç. Datëlindje paçim! Do thoshin drejtorët e mërdhirë.
Po ka një arkiv që kujton me objektivitet se çka qenë dhe çështë ky teatër. Dosja e Ndrenikës nuk është fare pa gjë. Genci i Arkivit është i gatshëm të na ofrojë disa imazhe nga shfaqjet në teatër dhe interpretimet në kinema të artistit (këto të fundit sdihet si kanë përfunduar këtu). Robert Ndrenika ka kohë larg skenës. Genci thotë që ka bërë zgjedhjen e duhur që do ta bënte një burrë për gruan e jetës: po kujdeset për të shoqen të cilës i ka marrë shëndeti për keq prej katër vitesh.
Fotot nga Prefekti dalin të parat nga dosja. Ndrenika është në sfondin e dyshes Behije Çela-Gjon Karma. Ai është Qazim Mulleti, portretizim i Besim Levonjës mjaft i kritikuar së voni për inkoherencë totale ndaj personazhit historik dhe epokës së tij. Në kujtesën e shumicës, atë rol e mban Mihal Popi. Nuk e di sa më shkëlqyer se kaq e ka krijuar figurën Mihal Popi, tha dje për gazetën Elvira Diamanti. Aktorja debutoi në kinema përkrah Robert Ndrenikës si babë e bijë në filmin Shoqja nga fshati.
Fleta e parë e lavdërimit – që janë me shumicë në dosje, – është për Fotaqin, tjetër prefekt në monarki. Për interpretimin e kësaj figure te Koncert në vitin 1936 aktori vlerësohet në Festivalin III të Filmit Shqiptar më 1979.
Ngatërruar nëpër gazeta, zarfe, fletëvolante gjetëm foton e fillimit të fillimeve të aktorit, e pabotuar. Shkruhet nga pas: Ndrenika elektricist, ndriçues në Kinostudio në pritje për tu bërë student-aktor.
Si shkallët e emergjencës rrëmuja e dosjes na zbret menjëherë nga ky portret i 19-vjeçarit te burri i thinjur, në karrigen me rrota, një skenë nga Bolero i Besnik Bishës më 1996, vit kur aktori doli në pension pasi kishte provuar për pak kohë drejtimin e Teatrit Kombëtar dhe një mandat si deputet i Elbasanit në parlamentin demokratik. Në fakt këtu fillon e lulëzon për së dyti karriera e tij në teatër më shumë se në kinema, në zhanrin e komedisë mbi të tjerat.
Askush si ai nuk arrin të realizojë atë harmoni zhanresh të tragjikomedisë, thotë Edmond Budina. Komik apo dramatik, heton Mihal Luarasi thelbin e figurës së Harpagonit te Kopraci i Molierit me regji të Hervin Çulit më 2004. Harpagoni është një rol i shkruar për aktorë të mëdhenj, shkruan Luarasi për ish studentin e tij të shkëlqyer. Të tjerët thyejnë kokën kur i afrohen atij. Dhe kokëthyerit janë të shumtë në historinë e teatrit botëror. Ndrenika nuk është njëri nga kokëthyerit, përkundrazi!
Njerëzit shohin tërë ditën Vangjelin e tij komik te Përrallë nga e kaluara, apo një figurë drejtpërdrejt sugjestionuese si kocka te Mësonjëtorja dhe karrocieri i Ismail Qemalit te Nëntori i Dytë. Por iu rreshket si i parëndësishëm babai shofer Në shtëpinë tonë i Anagnostit, apo një nga rolet më të mira dramatike të Ndrenikës Vrasje në gjueti i Çashkut.
Ndërmjet këtyre dy realizimeve, autoritetet e vlerësojnë aktivitetin e aktorit si në këtë fletë lavdërimi të vitit 1984: Aktorit Robert Ndrenika i jepet titulli sulmues i 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut e të fitores së revolucionit popullor për punë të palodhur në zbatimin e vendimeve të Kongresit të 8-të të PPSH si dhe për realizimin e objektivave dhe zotimeve për vitin 1984.
Arti i Ndrenikës nuk mund të ndahet nga arti i atyre të talentuarve që krijuan në periudhën 1945-1991. Do të thotë nga ai art ku ka një konflikt ndërmjet përmbajtjes së figurës dhe formës së saj, ideologjia tek e para dhe teknika e shprehjes tek e dyta, me prirjen e njërës për ta tharë dhe mbytur veprën dhe përpjekjen e tjetrës për tu çliruar nga ky invazion jonatyral. Edhe në epokën e mediokritetit demokratik kur kineastë e dramaturgë nuk i kanë dhënë mundësitë maksimale për tu shprehur aktori të një vendi të vogël, fakt është që nuk ia shohim plasat dramaturgjike figurave artistike të Ndrenikës dhe për këtë merita është e tija (në një fatkeqësi të madhe ndodh që njerëzit të mos shohin forcën që rritet te një individ).
Teatri sot po jeton si barrë mbi historinë e djeshme, ndërsa e djeshmja nuk është e çliruar nga haraçe të historisë, rrethanave politike. Duke e konsideruar veten sektor prodhimi sezonal, Teatri ynë Kombëtar nuk i njeh projektet alternative që kanë të bëjnë me botimin, ekspozimin, promovimin, takimin, njohjen, shfrytëzimin e arkivave fotografike, regjistrimeve me zë e film që përbëjnë të dhënat burimore të trashëgimisë mbi të cilat bëhen interpretime, ndriçohen paqartësi, nxirren përfundime.
Ky komunikim nuk ka ndodhur dhe kësisoj ka nxitur lëvdimin e konformizmit lëkurëtrash të së kaluarës, po aq sa llojet raciste të të shikuarit të kulturës sonë në të sotmen.
Mungesa e një homazhi për Robert Ndrenikës është injorim i kontributit të njerëzve kur ata nuk janë me burim përfitimi për interesat e ditës.
Tani jam unë që po i qëndroj pranë asaj
E kontaktuar nga Shekulli, e bija Diana, bëri të ditur se aktori e feston 70-vjetorin në Gjermani me të bijën Elenën dhe familjen e saj. Këmbëngulëm që ai të pushonte pak nga përkushtimi i tij ndaj mamit. Morëm përsipër të kujdesemi ne për të gjatë kësaj kohe me dëshirën që babi të pushonte e të gëzonte me pjesën tjetër të familjes në këtë përvjetor. Do doja shumë të kishte qenë ndryshe dhe të festonim jo të ndarë… por në këto kushte kjo ishte më e mira që mund të bënim.
Në këto katër vjet Diana thotë se ka parë forcën e karakterit të të atit, sakrificën dhe qëndrueshmërinë. Nuk ankohet kurrë megjithëse ne insistojmë që të mos shkëputet krejt nga jeta artistike dhe për aq gjatë. Me sa duket ai e ka bërë një betim me veten dhe e mban fort për ti ndenjur pranë deri në momentin e fundit mami Polit. Janë dashur shumë e janë lidhur që studentë. Unë vetë i uroj me zemër që të jetojë gjatë e shëndetplotë që të ketë mundësi ti falë skenës e kinemasë disa role të tjera.
Kambanat e Muzgut në Teatrin Kombëtar, Njeriu që pa vdekjen me sy në Teatrin Skampa dhe Harvey me Teatrin e Metropolit janë realizimet e fundit në teatër të Robert Ndrenikës.
Dje pasdite Shekulli i mori një mesazh e-mail aktorit që sot bëhet 70 vjeç. Gjatë qëndrimit në Gjermani ai takohet dhe me të vëllanë, i larguar nga Shqipëria në vitet pesëdhjetë.
Zoti Ndrenika, Shekulli ju uron gëzuar datëlindjen. Po e festoni me gjysmën e shtëpisë larg Shqipërisë? Ju trishton kjo apo ishte e domosdoshme të largoheshit për pak?
Vajzat e mia këmbëngulën të largohesha për disa ditë. Nuk refuzova, do të qëndroj disa ditë këtu, do të takoj vëllanë dhe do të shëtis me nipin.
Në Teatër thonë se Robert Ndrenika ka bërë zgjedhjen që bën një njeri për gruan e jetës. I është kushtuar krejtësisht kujdesit ndaj së shoqes, Poliksenit, që ju e keni quajtur adhuruesen dhe kritikuesen më të madhe të karrierës suaj. Si kanë qenë për ju këto kohë?
Po është e vërtetë, ime shoqe ka nevojë, ajo më ka qëndruar pranë dhe është kujdesur për vite të tëra për familjen dhe vajzat. Tani jam unë që po i qëndroj pranë asaj.
Dalja e fundit në skenë ka qenë para katër vitesh. Regjisorët dhe aktorët flasin me respekt për punën tuaj. Ka nga ata që i druhen një gjëje: Mos ju po tërhiqeni përfundimisht nga skena?
Po vërtet, po bëhen
