E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara për president, PS: Jo president i klanit Berisha

Partia Socialiste kërkon që presidenti i ri të zgjidhet me konsensus. Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, u shpreh se opozita do të jetë kundër kandidaturës që do të vijë nga e djathta. Sipas Klosit, Presidenti duhet të vijë përmes konsensusit dhe debatit konstruktiv të faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.

Të kemi një rrugë konsensuale, një rrugë të debatuar, një rrugë të mirë aprovuar nga faktorët e brendshëm dhe nga partnerët ndërkombëtar, veprime dhe vendimmarrje, të cilat i shërbejnë të ardhmes europiane të Shqipërisë dhe mos ti shërbejë ndarjes në kampet politike dhe mos ti shërbejë uzurpimit të çdo institucioni nga Sali Berisha. Presidenti i Shqipërisë apo Presidenti i një Republike Parlamentare duhet të jetë një burrë apo grua, çrëndësi ka, që duhet të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e të gjithëve, mos të jetë pjesë e familjes kryeministrore, mos të jetë pjesë e klaneve, të cilat mbajnë në këmbë jetën luksoze të Kryeministrit,- theksoi Klosi.

Lidhur me ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, grupi parlamentar i PS-së është duke përpunuar disa propozime që do ti paraqesin me fillimin e sesionit të ri parlamentar. Këtë fakt e pohon edhe Sekretari Organizativ Blendi Klosi, i cili sqaron se aktualisht ekspertët e kësaj force po punojnë për amendime në draftin për Gjykatën Administrative dhe kodet e mbetura pa u votuar.

Këto janë kode të cilat kanë problematikën e tyre korrekte për sa i përket neneve të caktuar apo frymës që ato përçojnë. Po punojmë për të afruar dhe kanë afruar propozime konkrete, do të jenë pjesë e diskutimeve parlamentare, në komisione e pastaj në Parlament, për të miratuar jo vetëm ligje sepse duhen miratohen me 3/5 por edhe ligje që do ti shërbejnë forcimit të shtetit, pasi ligjet me 3/5 nuk janë ligje për forcat politike por janë ligje për forcimin e shtetit në Shqipëri, tha Klosi. Ditën e hënë do të fillojë punën sesioni i ri parlamentar ku deputetët do të mblidhen në seancë plenare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›