Sida, përhapje edhe nga mizat
Mënyra e transmetimit të sëmundjeve seksuale nuk njihet nga adoleshentët. Madje, këta të fundit kanë mendime nga më të çuditshmet në lidhje me këto sëmundje si p.sh virusi HIV/AIDS transmetohet nga një pickim mize apo se të infektuarit dallohen që në fytyrë. Në fakt, këto të dhëna tronditëse të informimit të gjimnazistëve ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dalin nga një studim i Institutit të Shëndetit Publik dhe QSUT-së. Specialistë, mjekë dhe psikologë shpjegojnë për gazetën Shekulli disa nga shkaqet e mungesës së informacionit që kanë adoleshentët.
Mungesa e informacionit për infeksionet seksualisht të transmetueshme tek të rinjtë është vërtet problematike. Por është e rëndësishme se të bëhen studime dhe kërkime më të thelluara në lidhje me këtë fenomen dhe të shikohet si përparësi edukimi seksual tek të rinjtë, thekson specialistja e ISHP-së, Lumturi Mërkuri, një ndër autoret e studimit. tudimi është kryer në nivel kombëtar dhe pyetësori iu është shpërndarë një kampioni përfaqësues prej 2172 të rinjsh, përfaqësues i 23 888 meshkujve e 20 007 femrave 15-19 vjeç, nxënës në shkollat e mesme, banorë në zonat urbane dhe rurale të Shqipërisë.
Sipas specialistëve studimi Infeksionet seksualisht të transmetueshme, njohuritë dhe sjelljet tek të rinjtë, është realizuar për të vlerësuar qëndrimet dhe sjelljet e të rinjve të grupmoshës 15- 19 vjeç, rreth infeksioneve seksualisht të transmetueshme (SST), e do të jetë në funksion të hartimit të programeve specifike dhe të përshtatshme për këtë target-grup. Në studim thuhet se 21 për qind e tyre mendojnë se sida transmetohet nga mizat dhe 56 për qind mendojnë se një i prekur nga virusi HIV, dallohet që në fytyrë.
Njohuritë që kanë gjimnazistët për sëmundjet infektive që transmetohen nëpërmjet seksit, janë shumë të pakta. Kështu, shumica e tyre, 79.9 përqind e dinë që Sida është një sëmundje seksuale, sifilisin e njohin 33.5 % e gjimnazistëve, hepatitin B 21.8 %, gonorean e njohin vetëm 1.3 për qind e të rinjve, klamidian e njohin 10.6 për qind e tyre, herpesin vetëm 0.3 për qind dhe 1.5 përqind e gjimnazistëve nuk njohin asnjë sëmundje infektive që transmetohet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale.
Më dramatike bëhen të dhënat kur specialistët analizojnë përgjigjet e gjimnazistëve për mënyrat e transmetimit të këtyre infeksioneve seksuale. Dhe boshllëqe të mëdha në këtë drejtim ata kanë edhe përsa i përket infeksionit të HIV/AIDS, një prej sëmundjeve për të cilën flitet më shumë dhe më shpesh. Kështu, sipas këtij studimi, të rinjtë mendojnë se ky infeksion mund të merret edhe nga miza që ka prekur më parë një person të infektuar me HIV apo ata mendojnë se mund ta dallojnë një të sëmurë që nga fytyra. Më shumë se ¾ e pjesëmarrësve njohin dy rrugët kryesore të transmetimit të HIV/AIDS, atë seksuale dhe të transfuzionit të gjakut, ndërkohë që më pak se gjysma e njohin rrugën vertikale të transmetimit nga nëna tek fëmijët. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë për informacion të gabuar e të pasaktë lidhur me metoda të veçanta transmetimi të virusit HIV apo ecurinë e sëmundjes. Kështu 21.6% mendojnë që miza është transmetues i HIV/AIDS dhe rreth 56% mendojnë se njerëzit e infektuar me HIV dallohen në fytyrë, thuhet në këtë studim.
Shkaqet e dizinformacionit
Në lidhje me shkaqet e mungesës së informacionit ndaj këtyre infeksioneve specialistët rendisin disa. Mendoj se ka disa shkaqe, duke filluar nga jeta sedentare e të rinjve, e cila lidhet drejtpërdrejt me moshën. Mos të harrojmë se kemi të bëjmë me adoleshentë dhe neglizhenca për informacion nga ana e tyre është e madhe. Mendoj se orët e mësimit që marrin në shkolla nuk janë të mjaftueshme, ndaj duhet të rishikohen kurrikulat dhe edukimi seksual të jetë primar, pohon psikologia Enkelejda Ngjelina. Ndërsa mjeku infeksionit në QSUT, Arjan Harxhi, shpjegon se në ambientet shkollore ndonjëherë qarkullojnë më shumë mitet sesa informacioni i vërtetë dhe kjo ndodh sidomos tek adoleshentët.
21 për qind e adoleshentëve mendojnë se AIDS transmetohet nga mizat
56 për qind mendojnë se një i prekur nga HIV dallohet që në fytyrë
1.5 përqind e gjimnazistëve nuk njohin asnjë sëmundje infektive që transmetohet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale
33.5 % e gjimnazistëve e njohin sifilizin sipas studimit
Specialistët: Ja si duhet rritur informacioni
Duke u nisur nga fenomeni i mungesës së informacionit për infeksionet seksualisht të transmetueshme specialistët japin disa rekomandime. Kështu, ata theksojnë se informacioni që marrin të rinjtë në shkolla është lidhur me IST-të është i pamjaftueshëm si rezultat i orëve të pakta. Edhe mungesa e zhvillimit të temave të tilla në shkollë, si dhe mungesës së njohurive të nevojshme nga mësuesit e lëndës duhet zgjeruar. Infeksionistët mendojnë se rishikimi i kurrikulave shkollore dhe trajnimi i personelit shëndetësor e mësuesve të edukimit shëndetësor është një domosdoshmëri.
Bisedat me prindërit për seksin, ende tabu
Adoleshentët në vendin tonë mund të flasin për çdo gjë me prindërit, por jo për seksin. Edhe pse është e rëndësishme, ende kjo temë në familjet tonë në shumicën e rasteve mbetet tabu. Sipas specialistëve, përdorimi i strategjive të ndryshme të përfshirjes së prindërve e familjes për ndërgjegjësimin e të rinjtë për këto çështje është i domosdoshëm. Personeli shëndetësor dhe mësuesit janë një burim shumë i ulët i informacionit për të rinjtë lidhur me çështjet e IST-ve, ndërkohë që televizioni dhe të rinjtë bashkëmoshatarë identifikohen si burimi kryesor i informacionit.
