E Diel, 1 Nëntor 2026

Fillon ndërhyrja e BSH-së në tregun valutor, ndalet dobësimi i lekut kundrejt euros

Në dy ditët e fundit euroja nuk shënon ndryshime të mëdha. Banka Qendrore bëhet gati për ndërhyrje në tregun valutor

Ervin KOÇI

Monedha jonë kombëtare, Leku, ka bërë rezistencë ndaj valutave të huaja në dy ditët e fundit, duke mbajtur kuotën e 129 lekëve për euro. Kjo situatë ka shënuar dje ditën e parë pozitive në më shumë se dy javë të një regresi të kursit të lekut karshi monedhave të huaja. Dje leku u kuotua në 129.51 lekë për euro sipas kursit mesatar të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, ndërsa fitoi lehtë terren mbi euron ditën e hënë. Që nga 2 shkurti leku qe dobësuar gradualisht, por në mënyrë të vazhduar, duke humbur 2.95 për qind kundrejt euros. Që nga fillimi i vitit leku ka humbur 4.92 për qind. Ecuria e lekut kundrejt dollarit varet në masë të madhe nga kuotimi i monedhës amerikane kundrejt euros në tregun ndërkombëtar. Megjithatë, edhe dollari është forcuar ndjeshëm kundrejt euros dhe lekut gjatë ditëve të fundit, dhe dje shënoi kuotën 102.4 lekë, kuotë kjo më e larta në shumë vite. Niveli aktual i euros kundrejt lekut nuk është parë që nga prilli i vitit 2004, sipas të dhënave të Bankës Qendrore.

Ndërhyrja e BSH-së

Banka e Shqipërisë po e ndjek me kujdes situatën në tregun valutor vendas, duke parë raportin e monedhës kombëtare në krahasim me valutat e huaja. Burime nga BSH-ja bëjnë të ditur: “Institucioni Qendror Mbikëqyrës ka gati masën ndihmëse për të ndërhyrë në tregun valutor duke i dhënë një pozitë më të favorshme lekut në ditët në vijim dhe për të mos lejuar rënien e tij të mëtejshme”. Zyrtarë të ndryshëm të qeverisë e kanë komentuar rënien e lekut si një "fenomen kalimtar", që reflekton faktin se disa kompani të mëdha kanë grumbulluar euro për të riatdhesuar fitimet e realizuara në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Bankat dhe telefonia realizojnë fitime prej rreth 250 milionë eurosh në vit dhe konvertimi i kësaj sasie parash në pak muaj krijon presion mbi lekun. Por shumë ekspertë të tjerë, përfshirë ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, mendojnë se përveç "riatdhesimit të fitimeve" janë edhe faktorë të tjerë që rëndojnë mbi lekun. Gjatë vitit 2008, një sasi e madhe parash u largua nga vendi si pasojë e importeve të larta të energjisë elektrike, si dhe investimit në rrugën “Rrëshen-Kalimash”. Për pasojë, deficiti i llogarisë korrente, i cili mat diferencën mes valutës hyrëse dhe asaj dalëse në ekonomi për mallra dhe shërbime, arriti në mbi 1 miliard euro, ose 13.7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky është deficiti më i lartë i shënuar në Shqipëri dhe është edhe më i lartë se deficiti i llogarisë korrente i shënuar në vitin 1997.

Mendimi i ekspertëve

Zhvlerësimi i lekut pritet të ketë pasoja për ekonominë e vendit dhe të godasë xhepat e konsumatorëve. Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se pritet një shtrenjtim i importeve dhe më pas edhe një rritje e çmimeve të mallrave të konsumit, kjo duke pasur parasysh varësinë e madhe të Shqipërisë nga mallrat e huaja. Sipas ekspertëve, duke qenë se Shqipëria është një vend ku influenca e importeve në tregun e brendshëm është shumë i rëndësishëm, efekti i menjëhershëm do të jetë një ndryshim i çmimeve në importe. Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, lidhur me këtë situatë u shpreh se “çdo lloj çrregullimi që ndodh në sferën monetare mbartet tek konsumatori. Rritja e varësisë së ekonomisë nga importet dhe situata e krizës ekonomike në vendet perëndimore nuk mund të mos çojë edhe në rritjen e çmimeve të konsumit të bazuar në importe”. Ekspertët e ekonomisë parashikojnë se zhvleftësimi i lekut do të vazhdojë, pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Financave se bëhet fjalë për një dukuri të përkohshme. Sipas ekspertëve, gjatë tre muajve të fundit çmimi i lekut ka rënë me rreth 16 për qind.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›