Rreifeisen Bank pritet te shkurtoje 300 vende pune
Kriza financiare botërore duket se i ka dhënë shenjat e para të saj edhe në sistemin tonë bankar. Një prej bankave më të suksesshme dhe me bilancin më pozitiv për vitin 2008 në vend, Raiffeisen Bank, mësohet se është gati të shkurtojë nga puna rreth 300 punonjës të saj. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve “Ora News”, e cila ka cituar burime konfidenciale pranë kësaj banke, sipas të cilave, “punonjësit janë paralajmëruar për shkarkim nga puna”. Sipas agjencisë, “punonjësit e kësaj banke ende nuk kanë përfunduar procedurat për mbylljen e marrëdhënieve të punës me këtë bankë, por pritet që në ditët në vazhdim, rreth 300 persona të dalin si të papunë”. Burimet konfidenciale kanë thënë për agjencinë se “ka disa ditë që këta punonjës janë lajmëruar për shkurtim të vendeve të punës. Raiffeisen Bank po ndjek modelin e disa prej bankave të tjera perëndimore, si ‘Fortis’, ‘Leman Brothers’ apo dhe Banka Europiane, të cilat, të prekura nga kriza financiare, kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës me shumë punonjës”.
Të kontaktuar nga media, specialistët e marrëdhënieve me publikun në këtë bankë nuk e kanë konfirmuar një lajm të tillë, madje e kanë cilësuar si “të pavërtetë”. Por, sipas burimeve konfidenciale brenda kësaj banke, punonjës të saj flasin se në ditët në vazhdim shumë njerëz do të mbeten pa punë. Gjatë deklaratave publike për mediat shqiptare, drejtuesit më të lartë të kësaj banke në Shqipëri kanë mohuar prekjen nga efektet e krizës financiare botërore të sistemit të kësaj banke, duke thënë se “pasojat për këtë bankë janë minimale dhe nuk paraqesin shqetësim”. Por, pas disa artikujve edhe në media prestigjioze evropiane, ku flitej për dëmtim të aksioneve të Bankës Raiffeisen në Austri, nga kreditimi tek amerikania “Leman Brothers”, e cila falimentoi vitin e kaluar, tashmë janë dhënë dhe shenjat e para që tregojnë dobësimin e sistemit financiar të kësaj banke. Në vendin tonë Raiffeisen Bank i ka reklamuar publikut një potencial të madh financiar me mbi 100 degë në të gjithë vendin, duke qenë një ndër bankat më të besuara edhe nga ana e shtetit shqiptar, ku një pjesë e madhe e administratës shtetërore marrin rrogën pranë kësaj banke.
19 Shkurt 2009