Kutitë, ambasadori i OSBE-së deklaron se vendimi në KQZ ishte i cunguar
Vendimi për djegien e fletëve të votimit nga Komisioni Qendror Zgjedhor nuk është marrë në prani të të gjithë anëtarëve të këtij komisioni. Sipas ambasadorit të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, kur bëhet fjalë për zgjedhjet, si ato të ardhshmet, ashtu dhe ato të kaluarat, është mirë që të jenë prezente të gjitha palët. Në deklaratën e tij, Volfart, megjithëse u tregua diplomat, nënkuptoi se vendimi i KQZ-së për të djegur fletët e votimit është i cunguar dhe i marrë në mungesë të përfaqësuesve politikë të opozitës. Në një prononcim për mediat, Volfart tha dje se të gjitha palët duhet të kontribuojnë për të pasur zgjedhje sa më transparente.
Qëndrimi
I pyetur në lidhje me deklaratën e bërë nga paraardhësi i tij, Robert Bosh, sipas të cilit KQZ-ja nuk duhet t’i djegë fletët e votimit, Volfart tha se situata në atë kohë ka qenë tjetër. “Nuk mund të bëj një koment për atë çfarë ka thënë paraardhësi im, sepse është një situatë tjetër, në një kohë tjetër, por di që vendimi është marrë në dhjetor dhe është bërë publik. Tashmë shoh se ka një nivel transparence, megjithatë jo të gjithë anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve kanë qenë prezentë në të gjitha takimet. Kështu, lind pyetja: A është kjo mënyra më e mirë për të proceduar në këtë mënyrë? Kur bëhet fjalë për zgjedhjet e kaluara apo ato të ardhshmet, kërkohet një pjesëmarrje nga të gjitha palët dhe vetëm në këtë mënyrë mund të kemi nivel të lartë të transparencës. Urimi im për këtë vit në lidhje me zgjedhjet është që të kenë një kontribut sa më të gjerë nga të gjitha palët, qoftë dhe nga vetë qytetarët si votues”, - është shprehur ambasadori i OSBE-së.
I pyetur për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, ku dy partitë kryesore janë kthyer në pikën e fillimit duke mos gjetur konsensusin për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet, ambasadori i OSBE-së vlerësoi faktin që debati tashmë po zhvillohet në Kuvend. “Me që jemi në Kuvend, mund të them që është shumë e rëndësishme që diskutimet të ndodhin në Kuvend, dhe mendoj se shenjat e fundit janë pozitive, pasi mendoj se ka pasur diskutime. Shpresoj të ketë sa më shumë diskutimet dhe të gjithë duhet të kenë parasysh që për të marrë vendime të rëndësishme ka nevojë për kompromis dhe për një frymë pozitive bashkëpunimi. Kuvendi është vendi i duhur ku maxhoranca takohet me opozitën për të marrë vendimet e duhura. Shpresoj të ketë diskutime të mëtejshme dhe të këtë një mirëkuptim midis të dyja palëve, duke marrë parasysh edhe infrastrukturën e përmirësuar të Kuvendit”, - është shprehur ambasadori i OSBE-së.
Këtë deklaratë ambasadori Volfart e bëri dje ndërsa mori pjesë në ceremoninë e përurimit të bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij ai vlerësoi punën e bërë nga administrata e Kuvendit për dixhitalizimin e arkivave të këtij institucioni. “Dhe dua të them se është një punë e shkëlqyer ajo që është bërë me organizimin dhe dixhitalizimin e arkivave të 20 viteve të fundit dhe kjo do të shërbejë si bazë për punën në vazhdim. Duke e kombinuar këtë punë moderne që është bërë me IT, mendoj se është një hap i mirë për punën e mëtejshme të Parlamentit”, - është shprehur Volfart në këtë ceremoni.
Topalli përuron sallën e bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka përuruar dje sallën e bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë fjalës së saj në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Topalli tha se ky është fillimi i kthimit të Kuvendit në E-Parlament, pra që informacionet, punimet dhe seancat të ndiqen direkt nëpërmjet internetit. “Siç e shikoni, këtu jemi në një ambient të ri të bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë. Ajo që ne kemi më për zemër, bashkë me administratën dhe për të cilën kemi punuar fort gjatë këtyre viteve, adaptimin e një strategjie, për të bërë të mundur që në përputhje me epokën dixhitale që ne jetojmë, të bëjmë një E-Parlament. Sot, me kënaqësi themi se kjo godinë përfundimisht ka përfunduar instalimin e rrjetit kompjuterik të të gjitha zyrave, në të gjitha ambientet. Kjo është autostrada elektronike e parametrave më bashkëkohorë dhe modernë dhe ndoshta është më i madhi dhe më moderni në të gjitha institucionet shqiptare. Ka një mijë poste elektronike, duke e bërë këtë autostradë elektronike të këtij institucioni shqiptar ndoshta më të madhin dhe më modernin që ekziston në rajon. Kjo autostradë elektronike të jep mundësinë që të vazhdojmë me investime në fushën dixhitale dhe të kompjuterizimit, me projekte afatshkurtra dhe afatgjata”, - është shprehur Topalli. Ajo tha se administrata e Kuvendit ka punuar për vendosjen e webcasting në mënyrë që seancat parlamentare të mund të ndiqen live online. “Pika e dytë ku unë dua të ndalem, për të cilën administrata ka punuar fort, është webcasting. Ne kemi transmetimin live të seancave plenare një dimension i ri i rritjes së transparencës të punimeve të Kuvendi të Shqipërisë. Ky webcast është më modern se webcasti i Parlamentit të Italisë apo edhe i disa parlamenteve të tjera të vendeve të Bashkimit Europian, pasi jo vetëm bën të mundur që të ndjekësh direkt në internet seancat plenare, por përmes database-t të saj, përmes arkivit së saj, në çdo moment që ju mund të kërkoni emrin e deputetit për të dëgjuar se çfarë ka thënë, si është shprehur dhe çfarë ka kërkuar”, - është shprehur Topalli. Ajo bëri të ditur se biblioteka e Kuvendit është pasuruar me rreth 3 mijë tituj të tjerë, të cilët janë blerë duke u konsultuar me katalogët e Këshillit të Europës, apo me kërkesat e deputetëve.
Kume: “PS-PD, asnjë propozim për ndryshimet në Kodin Zgjedhor”
Katër muaj nga zgjedhjet vendore të 8 majit duket e largët data për thirrjen e një tryeze të tretë elektorale që do të ndryshojë Kodin Zgjedhor. Madje një gjë e tillë nuk artikulohet as nga politika. I mandatuari nga Kuvendi dhe shoqëria civile për ndërhyrjet teknike në ligjin e zgjedhjeve, Kristaq Kume, thotë se kutitë kanë mbajtur peng reformën zgjedhore. Sipas Kumes, deri tani asnjë nga partitë politike të mëdha nuk ka bërë propozime konkrete për të ndryshuar Kodin Zgjedhor. “Unë do ta konsideroja mospjesëmarrjen e Partisë Socialiste vetëm si rrjedhim i faktit që vendimi politik i kësaj partie mund të jetë mospjesëmarrja në zgjedhje. Në qoftë se PS-ja do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, do të jetë garuese e këtyre zgjedhjeve, atëherë nuk ka pse të mos kontribuojë në realizimin e reformës zgjedhore”, - bën të ditur Kristaq Kume. Që prej nëntorit, kur Kume u mandatua për ndryshimin e Kodit, kanë qenë vetëm partitë e vogla dhe shoqëria civile ata që kanë treguar interes për reformën zgjedhore. “Partitë e vogla dhe ndër to parti që i takojnë spektrit të djathtë, janë të gatshme për të sjellë kontributin e tyre, bile pretendojnë se i kanë të zbardhura mendimet e tyre. Kurse nga dy partitë e mëdha politike nuk ka deri tani kontribut konkret, real”, - thotë Kume. Reforma zgjedhore, sipas ish-kreut të KQZ-së, duhet të mbyllet brenda janarit, pra 3 muaj para zgjedhjeve, pasi në Kod ka afate që e bëjnë të pamundur punën përtej kësaj kohe.
6 Janar 2011