E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon shkolla Topi dhe Berisha urojne nxenesit

Në të gjithë vendin nisi këtë të henë viti i ri shkollor 2011-2012. Mbi 645 mijë nxënës, të arsimit parauniversitar u ulën në bankat e shkollës, ndërsa krerët  më të lartë të shtetit u uruan  atyre  një vit të mbarë. Nga shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet  presidenti Bamir Topi përcolli urimin për një vit të mbarë për nxënësit në të gjithë vendin.

"I uroj një vit të ri shkollor, të mbarë për të gjithë nxënësit shqiptar dhe jam e bindur që kjo ditë mbi të gjitha mbart mbi vete entuziazmin për të rifilluar një cikël arsimimi më cilësor. Entuziazmin për të qenë konkurrues në jetë, por mbit të gjitha për të qenë  ", uroi presidenti Bamir Topi. Pas përshëndetjes Presidenti Topi  vizitoi mjediset e brendshme të shkollës dhe u ndal në një klasë me tabela interaktive, që sic tha ai do ta bëjë mësimin më të dashur për nxënësit.

Kryeministri Sali Berisha zgjodhi shkollën e mesme “Hoteleri-Turizëm” për të uruar fillimin e vitit shkollor. Berisha gjatë fjalës së tij u ndal veçmas tek shkollat profesionale. Sipas tij ato do të jenë të hapura çdo pasdite, duke ndjekur në këtë mënyë praktikat e vendeve si Gjermania dhe Italia.  "Shkollat profesionale duhet të jenë të hapura për të gjithë ata punonjës që punojnë gjatë ditës, po që pasdite duhet të shkollohen, të lartësojnë më shumë dijet dhe profesionin e tyre", u shpreh kryeministri.

Berisha theksoi se zgjodhi pikërisht shkollën e hoteleri turizimit për të përcjellë mesazhin e tij për ditën e parë të shkollës për shkak se kjo shkollë vlerësohet për cilësinë e saj në tregun e punës, por edhe si një ogur i mirë për të rritur cilësinë e shërbimit në turizmin shqiptar. Janë gjithsej 900 nxënës të cilët do të ndjekin studimet për këtë vit në shkollën e hoteleri-turizmit.

Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli përcolli urimet e saj për vitin e ri shkollor nga Shkodra. Ajo ishte në shkollën e mesme 'Jordan Misja'. "Ju uroj me gjithë zemër mësime të mbara, suksese dalshit faqebardhë, ashtu si ju do zemra. Të jeni të suksesshëm në karrierën tuaj dhe të gëzoni prindërit, të realizoni ëndrrat tuaja", tha zonja Topalli. Kryeparlamentarja ishte e pranishme dhe në ceremoninë e inagurimin e punimeve për ndërtimin e një shkolle të re në lagjen "Mark Lula" të këtij qyteti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha u ka uruar ditën e parë të shkollës të gjithë nxënësve nga banka e tij e parë, në shkollën "Skënder Caci". Ai u ka premtuar se brenda viti 2012 do të zgjidhet dhe cështja e mbipopullimit të klasave, pasi do të ndërtohen 6 shkolla të reja 9-vjecare.

"Vëmendjen do ta përqëndrojmë këtë vit shkollor në tre drejtime, te siguria në shkolla, duke nisur me sigurinë rrugore të fëmijëve. Do të ketë një përpjekje për kurimin e plotë të gjendjes higjeno sanitare në shkollat tona dhe do të ecim para me planifikimin e shkollave të reja", tha Lulzim Basha, Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë ka takuar me nostalgji mësuesit e tij të parë dhe vizitoi të gjitha ambjentet e shkollës.

T. Boja/ E. Ajazi/ B. Gjoka/ J. Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›