Filluan sot punimet për rikonstruksionin e infrastukturës së bllokut Nr.63 në Tiranë

Infrastruktura e bllokut nr. 63, në njësinë bashkiake nr. 5 të kryeqytetit, do t'i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë falë një fondi prej 185.632.222 lekë nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Blloku nr.63 ndodhet në pjesën jugperëndimore të qytetit të Tiranës dhe sipërfaqja që parashikohet të trajtohet është rreth 17 ha. Rrugët kufizuese të këtij blloku janë të rikonstruktuara, ndërsa infrastruktura rrugore brenda bllokut është e amortizuar. Në projektin e rikonstruksionit është parashikuar që gjerësia e rrugëve brenda bllokut të jetë nga 5 deri në 9 metra. Janë parashikuar gjithashtu edhe trotuarë nga të dy anët, të shtruar me pllaka betoni, me gjerësi nga 2 metra. Projekti parashikon ndërtimin e një rrjeti të ri kolektorësh dhe pusetash për ujërat e zeza dhe të bardha. Gjatë një prononcimi për mediat, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, tha se "këto territore jashtë çdo cilësie, do të kthehen në territore të integruara, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të gjitha moshat, ku të gjitha familjet që banojnë në këtë zonë do të ndihen pjesë e kryeqytetit".
...